Kosova nuk ka pretendime territoriale ndaj asnjë shteti tjetër fqinjë sikurse Serbia e cila  duhet të mos cenojë sovranitetin e Kosovës, përderisa synon integrimin në Bashkimin Europian.

Këto ishin mesazhet kryesore që udhëheqësit e shtetit të Kosovës i përcuan botës nëpërmjet konferencës “Germia Hill”  e cila nisi punimet dy ditore në kryeqytetin kosovar.

Dhjetëra diplomatë, anëtarë të shoqërisë civile, mediave dhe organizatave të ndryshme u mblodhën të premten në këtë konferencë.

“Si shtet ne respektojmë integritetin e të gjitha shteteve të tjera. Kosova nuk ka pretendime territoriale ndaj shteteve të tjera, këtë e thotë edhe kushtetuta”, deklaroi presidentja, Atifete Jahjaga.

“Përderisa në rastin e parë Serbia përdor të njëjtën qasje që ka përdorur në shekullin e kaluar në raport me Kosovën, ndërsa në rastin e dytë përdor qasje të moderuar europiane, apo pretendon se bën qasje të tillë. Kjo praktikë duhet të marrë fund”, deklaroi kryeministri i Kosovës, Hashim Thaci.

“Në dëshirojmë si Republikë e Shqipërisë, që procesi i dialogut të vazhdojë dhe marrëveshjet e arritura duhet të zbatohen që askush të mos e përdorë dialogun si pasaportë për të hedhur një hap tjetër drejt BE-së dhe ju e dini përse e kam fjalën”, deklaroi Ministri i Jashtëm shqiptar, Edmond Haxhinasto.

Konferenca “Germia Hill, nën logon e Republikës së Kosovës dhe Këshillit Europian për Punët e Jashtme pretendon të bëhet conference vjetore. Këtë herë lista e pjesëmarrësve numëron 110 të tillë. Në mesin e tyre është ish-ministri i Jashtëm francez, Bernard Kushner, i cili në ditën e parë mungoi, gazetari i ‘The Economist’ Tim Judah, diplomatët si Denis McShain e Erhard Busek i cili po kështu pritet të vijë në ditën e dytë të konferencës, sikurse Ministri i Jashtëm turk,  Ahmet Davutoglu. Nga Serbia i ftuar ishte Boshko Jakshiç, i gazetës “Politika”.

Fatura e shpenzimeve sipas burimeve nga Ministria e Jashtme do t’i shkojë Këshillit  Europian për Punët e Jashme dhe Këshillit Britanik në Prishtinë. Ndërkaq vet emri i konferencës të paktën për këtë vit nuk i përshtatet vendit ku është zhvilluar ajo.

Gërmia quhet Parku në periferi të Prishtinës, ndërsa të ftuarit u akomoduan në hotelin e porsa ndërtuar të zëvendëskryeministrit kosovar, Behgjet Pacolli i cili ndodhet në sheshin “Nënë Tereza”.

Mungon ftesa për Vetëvendosjen

Por në një organizim të tillë ku me qëllim të përmirësimit të imazhit të shtetit më të ri në Europë, nuk ishin anashkaluar as pjesëmarrësit nga Rusia e Serbia, dy shtete që kategorikisht mohojnë shtetësinë e Kosovës, mungoi Lëvizja Vetëvendosje.

Deputetë nga të gjitha grupet parlamentare ishin të pranishëm, por jo  ata të Lëvizjes Vetëvendosje e as Albin Kurti, i cili për më tepër është kryetar i Komisionit Parlamentar për Punët e Jashtme.

Kundër një qasjeje të tillë ka reaguar deputeti Visar Ymeri. Ai nëpërmjet një letre shkruan se “pavarësisht bindjeve partiake dhe personale të ministrit ose zëvendësministrit, organizimet që bëhen nën logon e institucioneve politike të republikës son  dhe me paratë publike të qytetarëve të Kosovës, nuk duhet të anashkalojnë  asnjë subjekt politik të vendit. Kjo konferencë nuk është private dhe askush nuk i lejohet ta trajtojë si të tillë, pra ta privatizojë atë”.

Top Channel