Nga dita e premte, stacioni i Policisë së Kosovës në Mitrovicë ka ngritur një pikë kontrolli në lagjen problematike të Kroit të Vitakut.

Lajmin e bën të ditur “REL”, që i referohet një komunikate për shtyp të shpërndarë nga vetë Policia e Kosovës.

Sipas njoftimit, në këtë pikë kontrolli do të ketë prani policore 24 orë në 24 dhe kushtet për agjentët që do të jenë në detyrë do të jenë të volitshme.

Në njoftimin e policisë thuhet më tej se vendimi për ngritjen e kësaj pike kontrolli është bërë në bazë të metodologjisë së re të punës në sektorë.

Lagjia Kroi i Vitakut u bë më herët gjatë muajit skenë e një ngjarjeje të rëndë, ku një polic serb u vra dhe dy banorë serbë u plagosën.

Gjithcka ndodhi pas një përleshjeje mes një grupi serbësh dhe një grupi shqiptarësh, të cilët në lagjen në fjalë jetojnë fare pranë njëri-tjetrit.


Policia e Kosovës ka kryer një seri aksionesh
e bastisjesh në kërkim të autorëve të vrasjes, por deri tani nuk ka rënë dot në gjurmët e tyre.

Pas kësaj ngjarjeje, situata në veri të Mitrovicës ka vijuar e qetë, pa konflikte, por banorët serbë kanë vijuar me vendosjen e disa barrikadave.

Pritet që situata të zhbllokohet në raundin e ri të bisedimeve, që sipas gjasave do të zhvillohet të hënën, ku dhe do të miratohet marrëveshja për menaxhimin e integruar të kufijve.

Top Channel