Zgjedhjet presidenciale, ku populli do ta zgjidhte direkt të parin e shtetit, sipas të gjitha gjasave mund të mbahen në vjeshtën e vitit 2012, ashtu siç është parashikuar në marrëveshjen e nënshkruar në muajin prill ndërmjet Hashim Thaçit, Isa Mustafës e Behxhet Pacollit.

Kjo pasi Komisioni Kuvendor për Ndryshimin e Kushtetutës është duke i kryer punët brenda afateve që janë përcaktuar në marrëveshjen që i pati dhënë fund krizës presidenciale.

“Sipas axhendës ne duhet t’i dorëzojmë deri në janar këto amendamente të cilat parashikohet që në mars të jenë të miratuara sepse sipas Kushtetutës, për 12 ditë dërgohen në Gjykatën Kushtetuese dhe gjykata duhet të vlerësojë nëse janë në përputhje me kreun për të drejtat dhe liritë e njeriut. Sipas rezolutës, 6 muaj nga miratimi duhet të mbahen zgjedhjet, dmth nga fundi i verës ose në fillim të shtatorit”, thotë Arsim Bajrami, Kryetar i Komisionit Kuvendor për Ndryshimin e Kushtetutës.

Sipas Bajramit, Komisioni ka përfunduar fazën e dytë, atë të komunikimit me qytetarë, ndërsa në fazën finale, nga 20 nëntori deri më 5 dhjetor të këtij viti, partitë politike do të kenë mundësi të komentojnë ndryshimet, para se ato të dërgohen në Kuvend për miratim.

Bajrami ka publikuar edhe rezultatin e një ankete të realizuar me qytetarë, për disa çështje që kanë të bëjnë me atë se sa duhet të jetë mosha e presidentit, vendi ku duhet të betohet, kohëzgjatja e mandatit, e të tjera.

69% e qytetarëve kanë menduar që kandidati për president t’i jetë të paktën 35 vjeç, ndërsa, 55% mendojnë se vendi ku duhet të betohet është Gjykata Kushtetuese, para kryetarit të saj.

Po ashtu, Bajrami ka njoftuar se mandati i presidentit do të jetë 5-vjeçar, në mënyrë që të mos përputhet me atë të institucioneve të tjera, dhe që zgjedhjet të mos mbahen në të njëjtën kohë, për shkak të vështirësive që mund të krijohen në menaxhimin e tyre.

Edhe pse Presidenti do të zgjidhet direkt nga populli, Komisioni në fjalë nuk është marrë fare me ndryshimin e kompetencave të Presidentit për shkak se nuk e ka një mandat të tillë nga Kuvendi.

Në mënyrë që reforma të jetë plotësisht funksionale, anëtarët e tij u shprehën të gatshëm që të merren edhe me këtë çështje dhe se sipas tyre, deri në mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale ndryshimet mund të kryhen.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA