Ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremic ka deklaruar se kërkesa për pasaportë ruse e serbëve të Kosovës është një apel për ndihmë.
Sipas tij, kjo nuk është një përpjekje për të emigruar, por një kërkesë për t’u mbrojtur nga shtypja, pasi serbët nuk kanë mbështetje tjetër.
Duke folur nga Kazakistani, shefi i diplomacisë serbe ka theksuar se bashkësia ndërkombëtare u ka premtuar mbrojtje serbëve të Kosovës, por kjo mbrojtje po mungon.
“Ata nuk e kanë këtë mbrojtje, prandaj kanë vendosur që mbrojtësi i tyre më i fuqishëm në këtë cështje të jetë partneri dhe aleati më i mirë, Federata Ruse”, citohet Jeremic nga “RTK”.
Disa ditë më parë, disa shoqata serbe nga veriu i Kosovës i dërguan një letër ambasadës ruse në Beograd, përmes të cilës kërkonin që mijëra serbëve të Kosovës t’u mundësohej marrja e shtetësisë ruse.
Në letër thuhej se, ky vendim i serbëve të Kosovës vinte si rrjedhojë e revoltës dhe dëshprimit të tyre ndaj pushtetit të Beogradit.
“Ky veprim është një manifestim i pakënaqësisë dhe njëherësh një vërejtje për pushtetin tonë në Beograd, sepse tregon se qytetarët serbë që jetojnë në Kosovë kanë më shumë besim tek një shtet tjetër sesa tek vetë Serbia”, thuhej në letër.
Ndërsa ditën e premte, ambasadori rus pranë NATO-s, Dmitri Rogozin, ka deklaruar se Moska është gati t’i presë me krahë hapur “vëllezërit serbë”.
Ndërsa ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Bajram Rexhepi, reagoi lidhur me këtë lajm duke thënë se frikë kanë vetëm serbët që kanë kryer krime.
Top Channel