Qeveria e re greke paraqiti të premten planin për buxhetin e vitit të ardhshëm, me premtimin se ai do të jetë në gjendje të “reduktojë ndjeshëm” defiçitin e lartë të vendit.

Ministri i Financave, Evangelos Venizelos, parashikoi që pagesa për huatë e marra të reduktohet nga 9% e PBB-së në 5,4% në 2012-n, si pasojë e faljes së gjysmës së borxheve të Greqisë.

Së bashku me kredinë e re masive që Athina do të marrë, por që do të nisë të paguajë pas disa vitesh, gjendja ekonomike parashikohet të përmirësohet aq sa të lejojë qeverinë të çojë deri në fund reformat e dobishme.

”Bankat do të fillojnë të veprojnë ndryshe në të ardhmen. Greqia nuk do të përshtasë një model të parë më herët në botë, por do t’u ofrojë bankave 2-3 variante dhe secila mund të përzgjedhë atë që i duket më të përshtatshme”, shtoi Venizelos.

Buxheti i ri është propozuar nga qeveria e re e koalicionit, e udhëhequr nga ish-guvernatori i Bankës së Greqisë, tashmë Kryeministri Lukas Papadhimos.

Pavarësisht parashikimeve optimiste të Ministrit të Financave, ekonomia greke vazhdon të jetë në “pikiatë”, me një rënie prej 5,5% gjatë 2011-s dhe një vit të katërt recensioni radhazi në 2012-n, kur pritet të rrëzohet me 2,8%. Që prej vitit 2010, Greqia varet nga kreditë madhore ndërkombëtarë për të paguar administratën dhe pensionet e saj.

Top Channel