Ministri i Jashtëm britanik, Willaim Hague ka deklaruar se Serbia duhet të kthehet sa më parë në tryezën e bisedimeve me Kosovën.
Sipas “RTK”, shefi i diplomacisë britanike ka kërkuar gjithashtu që Beogradi të nisë sa më shpejt zbatimin e marrëveshjeve të arritura me Kosovën.
“Presidenti Tadic dhe anëtarët e qeverisë serbe na kanë bindur se Serbija ka ndërmend ta bëjë këtë gjë”, ka deklaruar Hague.
Bisedimet dypalëshe Kosovë-Serbi mund të fillojnë ditën e hënë, me trajtimin e cështjes së menaxhimit të integruar të kufijve.
Sinjalet pozitive u dhanë nga negociatori serb, Borko Stefanovic, si dhe nga negociatorja kosovare Edita Tahiri, në një prononcim për gazetën “Epoka e Re”.
Bisedimet Prishtinë-Beograd u ndërprenë për shkak të krizës që shpërtheu në veri, pas nisjes së operacionit për marrjen nën kontroll të pikave kufitare.
Qeveria kosovare deklaroi të mërkurën se nënshkrimi i marrëveshjes për kufijtë do të jetë e para që do të nënshkruhet, ndërkohë që pritet firmosja edhe e pakteve të tjera, të arritura por të pazbatuara.
Po të mërkurën, i ashtuquajturi Këshilli Nacional Serb i Veriut të Kosovës kundërshtoi marrëveshjet e arritura në bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit, me pretendimin se cojnë në njohjen e pavarësisë.
Top Channel