Prokurorët e gjykatës së OKB-së për krimet e luftës në ish-Jugosllavi duan të reduktojnë materialin e provave që janë për t’u paraqitur kundër ish-komandantit të serbëve të Bosnjes, Ratko Mlladic.

Ata propozojnë një reduktim drastik në përmbajtjen e padisë, në përpjekje për të përshpejtuar procesin gjyqësor ndaj tij, njofton rrjeti informativ britanik BBC.

Sipas burimit, prokurorët po u kërkojnë gjyqtarëve nëse ata mund të shkurtojnë deri në 45 për qind të numrit të krimeve që do të përpiqen të provojnë.

Gjithësesi, gjenerali Mlladic duhet të gjykohet për 11 akuza, mes të cilave dy për genocid dhe të tjera për krime luftë dhe krime kundër njerëzimit.

Ekipi i tij i avokatëve mbrojtës do të studiojë dosjen e amenduar të akuzave para se gjykata të vendosë nëse të aprovojë ose jo kërkesën e prokurorëve.

Njoftimi për kërkesën në fjalë vjen vetëm pak ditë pasi mbi Mlladic u krye një kontroll shëndetësor nga një grup mjekësor i caktuar nga Haga, si dhe nga disa mjekë të dërguar nga Serbia me kërkesë të tij.

Ish-komandanti 69-vjecar i serbëve të Bosnjes akuzohet se ka organizuar masakrat e kryera nga trupat e tij gjatë luftës në Bosnje, përfshirë masakrën e Serbrenicës në vitin 1995, ku u vranë mbi 7500 burra dhe djem myslimanë.

Deri tani nuk është caktuar ende një datë për rifillimin e procesit gjyqësor ndaj Mlladic, i cili pretendon se është shumë i sëmurë për ta ndjekur atë.

Top Channel