Të shesësh dështimin për sukses

17/11/2011 00:00

Shkëlqim Cani, Ilir Beqja – Sa herë dëgjojmë akuzat e orkestruara dhe të përsëritura për “fajin e
madh të opozitës” që nuk morëm statusin e vendit kandidat për në
Bashkimin Europian, na kujtohet skeçi vërtet i bukur, i luajtur nga
mjeshtri i madh i humorit, Luftar Paja.

I vodhën lopën dhe të gjithë e kritikonin që kishte gabuar se nuk kishte ruajtur siç duhet lopën. Pasi i dëgjon të gjitha kritikat shpërthen: po ai që më vodhi lopën (pra, në rastin tonë qeveria) nuk kishte faj? Daljet në rresht në media të së gjithë ushtrisë mjerane të argumentuesve pa argument, nuk do të mundin të bindin asnjë se faji qenkërka i opozitës për mosmarrjen e statusit. A nuk e kuptojnë se ka disa të vërteta të hidhura që qeveria jonë nuk mund t’i injorojë, midis të cilave mund të rreshtojmë:

1. Sot hajduti nuk fshihet e frikësohet si atëherë, por është vetë qeveria dhe biznese të lidhura me të në rolin e mega hajdutit. Na ka rastisur të gjithëve të jemi prezent në të qeshurat shpërthyese tallëse nga zullumqarët hajdutë dhe të inkriminuar, kur opozita, tashmë dhe ndërkombëtarët, bëjnë akuza publike për korrupsionin.

2. Nëse integrimi në BE ka 12 kushte, opozita nuk na paska bashkëpunuar për ndonjë prej tyre. Nëse pyet përse pozita nuk ka plotësuar atë pjesë dërrmuese për të cilën nuk i duhej opozita, do të argumentohet që ato kushtet e opozitës janë që i hapin rrugë gjithë të tjerave.

3. Nëse qeveria akuzohet se ka korrupsion në të gjitha nivelet dhe në përmasa alarmante, është faji i opozitës që nuk ka qenë në Parlament për të debatuar kundër korrupsionit që organizojnë vetë qeveritarët.

4. Kërkohet heqja e imunitetit të anëtarëve të qeverisë dhe të deputetëve, ndërkohë që u jepet imunitet pa ligj atyre që nuk e kanë imunitetin sot.

5. Na mungon p.sh. ligji për gjykatën administrative se duhet dhe vota e opozitës. Kemi dëgjuar argumente sikur ky ligj do të jetë “shpëtimi” i ekonomisë shqiptare. Duke e pranuar që ky ligj është i nevojshëm (i kujtojmë ndonjë gjoja të shqetësuari që kemi kërkuar 10 vite më parë miratimin e këtij ligji), duam të heqim naivitetin e ndokujt tjetër që beson se ky do jetë ligji që do t’i zgjidhë hallet e mëdha të biznesit. Po nuk qe vullneti, në radhë të parë i qeverisë, ky do jetë një ligj si të tjerët, në vargun e atyre që nuk zbatohen ose deformohen në zbatim.

U zgjatëm paksa me këtë çështjen e integrimit, se pas disa kohësh do të kemi ligjërata të tjera argumentuese që edhe dështimet ekonomike të këtyre dy-tre viteve të fundit dhe ato të dy viteve që vijnë, do kenë shkak-pasojë opozitën, që pengoi integrimin.

Përmendëm dështime, ndërkohë që qeveria përmend veç suksese. Bixhozxhinjtë dhe qeveritarët tanë po kumarxhinj e kanë zakon të flasin vetëm për fitime në kazino, pasi pranojnë vetëm pjesën e vogël që kanë fituar dhe lënë në harresë 10-fishin që humbasin (në fakt çfarë humbasin nuk janë paratë e tyre). Ku qëndrojnë diferencat në këto vlerësime e gjykime të kundërta? Le të marrim me radhë disa nga momentet që kanë vlerë për argument.

Qeveria i premton popullit kostum dhe i blen poture/çitjane, sepse…populli i ka këmbët “e shtremta”.

Në fushatën zgjedhore dhe programin e qeverisë u premtuan qiejt dhe në fakt u realizuan të tjera, shumë më pak nga sa u premtua. Askush nga qeveria nuk përmend me transparencë se çfarë u premtua dhe nuk jep llogari në popull përse nuk u realizuan premtimet. Është e modës këto kohët e fundit që krahasimet të mos bëhen me çfarë u premtua, por argumenti për mosrealizimet bazohet në “qarjet e hallit” se sa keq janë ekonomitë perëndimore dhe sa po vuajnë popujt e Britanisë, Gjermanisë, Francës, Italisë etj., ndërkohë që ekonomia shqiptare vijon “nga suksesi në sukses”. Thjesht megalomani dhe nostalgji nga e shkuara apo qeverisë i është dhënë roli i tutorit dhe i përkujdesjeve për ndonjë qeveri europiane, meqë nuk kanë ditur të zgjidhin si duhet problemet me krizën e borxheve. Qyqarë qeveritarë, nuk çalon gomari nga veshët, prandaj kthejuni ekonomisë shqiptare, pasi deri këtu ju shkon çapi. Nga ekonomia kanë rënë me turp shumë pushtete, në dukje të paktën, shumë më të fortë se ky që po ushtroni.

Të marrim në analizë shkurt disa prej premtimeve të qeverisë:

1. Rritja ekonomike është premtuar 6 – 7% në vit. Në këto 6 vite rritja ekonomike e pranuar nga vetë qeveria, duke manipuluar shifrat dhe duke përfshirë pjesën e inkriminuar, rezulton mesatarisht 4.5% ose 40% me pak se zotimi. Kjo rritje do të realizohej duke e ulur borxhin publik me 700 milion dollarë, kurse në fakt borxhi publik jo që nuk u ul, por u rrit 2.5 miliardë dollarë të tjera. Papunësia dhe varfëria që do të uleshin në mënyrë drastike, në fakt rezultojnë në pothuaj nivelet e asaj periudhe kur u mor pushteti nga mazhoranca. Leku humbi fuqinë blerëse me 15-20% të tij, ose për herë të parë që përsëritet kjo histori pas vitit të mbrapshtë 1997. Korrupsioni dhe kapja e shtetit është në nivelet më të larta që ka pasur ndonjëherë Shqipëria, edhe pse ishte një prej kryeçështjeve të premtuara nga opozita e atëhershme se do të zhdukej. Monopolet janë të gjithëkudondodhura dhe të mirorganizuara nga dhe për familjet e qeveritarëve. Nisma “Shqipëria 1 euro” rezultoi në “Shqipëria për 1 lek”. Kreditë e parregullta kanë shkuar në ekstrem dhe vijojnë të rriten.

2. Por për të mos i ngrënë hakun kësaj qeverie duhet të pranojmë dhe “arritje” jo të pakta të saj në disa drejtime. Ka rritur me shumëfish të ardhurat nga kazinotë dhe kumari, duke nxitur zilinë e gjithë kumarxhinjve të botës për përparimet në këtë sektor, ku lojtarët kryesorë të këtij biznesi të suksesshëm në Shqipëri janë politikanët tanë të të gjitha niveleve. Kreditë e parregullta janë rritur 9 herë, duke arritur tashmë që 1 në 5 kredimarrës nuk është i rregullt me shlyerjen e kredisë, kur ky raport ishte 1:50 kur mori pushtetin qeveria “Berisha”. Pronarët e ligjshëm apo ish-pronarët, që i quan shumëkush, ishin premtimi i radhës, por deri tani mbi 90% e tyre kanë marrë asgjë dhe po kështu do marrin me sa duket dhe në këtë mandat. Në 6 vite të kësaj qeverie janë realizuar disa amnisti të dështuara për peshqit e vegjël, por me shumë dobi për mafiozët dhe bizneset e lidhura me familjet e qeveritarëve. Ka dhe një mori treguesish e fenomenesh të tjera që kanë pësuar përkeqësime apo luhatje të mëdha, të gjitha me pasojë rritjen e mosbesimit të gjithkujt ndaj kësaj qeverie dhe çdo premtimi të saj.

Ka dështime të pritura edhe në disa drejtime të tjera në afatin e mesëm e të gjatë, të cilat po kalohen me indiferentizëm të pakuptimtë e deri absurd nga të gjithë aktorët e faktorët vendas e të huaj, përfshirë dhe publikun e gjerë. Shpejt do të jetë tepër vonë për efektet e kostot dramatike në ekonominë e brishtë shqiptare. Mund të përmendim midis tyre:

– pensionet që me skemën aktuale janë tashmë të dështuara;

– pronësia që me rrugën që ka marrë do të jetë ndër dështimet dhe pengesat më të bujshme të ekonomisë së tregut që po ndërtojmë (pronarët e pashpërblyer të përgatiten për shpërblime minimale dhe të reduktuara ndjeshëm, pasi këtu do kandiset puna);

– qeverisja që deri tani ka njohur masivisht keqqeverisjen dhe thuajse fare pak mirëqeverisjen që meritonim të kishim;

– mafia ka mbërthyer jo pak pjesë të ekonomisë shqiptare dhe dita që kalon merr terren;

– shitja e Shqipërisë për interesa vetjake po ndiqet me indiferentizëm e çoroditje;

– politikanë e biznesmenë të ortakëzuar, të pasur me mbi 1 miliard euro duket nuk do jenë më çudia e njoftimeve në media në një të ardhme të afërt. Ndoshta ndonjë prej tyre do t’i shohim shpejt dhe në listën e revistës “Forbes” si personat më të pasur të botës. Shpejt po ecim drejt një shoqërie ku 1% e popullsisë do ketë afro 70% të pasurisë dhe të tjerë që do të kenë si moto ditore thjesht sigurimin e bukës së gojës, do të krijojnë një shtresë jo të vogël. Shifra zyrtare që njohim aktualisht është se më shumë se gjysma e depozitave në bankat tona zotërohet nga vetëm 5% e depozituesve.

Më shumë nga gjithçka këto, kohë po na vret indiferentizmi me të cilin po i përcjellim ngjarjet përreth dhe klima e mosbesimit që na ka pushtuar të gjithëve në hapësirë e kohë.

Por le të bëjmë më tej dhe një analizë të shkurtër të disa elementeve të ekonomisë që po konturohet e propagandohet si sukses këto vitet e fundit. (Vijon)

Gazeta “Shqip”

Top Channel