Mijëra vetë protestuan dhunshëm në Athinë ditën e enjte në kujtim të protestës studentore të vitit 1973, kundër juntës ushtarake që atëherë drejtonte vendin.

Manifestimi filloi në politeknikumin e Athinës dhe nëpërmjet rrugëve qëndrore të kryeqytetit përfundoi përpara ambasadës amerikane në Athinë.

Aktet e dhunshme u shënuan fillimisht jashtë parlamentit, në sheshin “Sindagma”, e në vazhdim, jashtë ambasadës amerikane. Me lëvizjen u bashkuan edhe protestuesit kundër masave shtrënguese të kursimit.

Qindra të rinj hodhën gurë dhe bomba molotov kundër policisë, e cila u përgjigj me gaz lotsjelles. Përleshjet zgjatën rreth 30 minuta.

Në vazhdim, protestuesit u larguan të ndjekur prej forcave të policise në rrugën “Aleksandras”, duke lënë pas të shkatërruar stacione autobuzësh dhe vitrina dyqanesh. Në vazhdim, një grup prej protestuesve iu drejtua lagjies “Eksarqia”, prej nga ku vazhduan sulmet ndaj forcave të rendit.

Policia njoftoi se janë dërguar në spital tre vete. Forcat e rendit kanë arrestuar pesë protestues dhe kanë ndaluar paraprakisht edhe 80 të tjerë.

38 vjet më parë, në 17 nentor, junta ushtarake grumbulloi edhe ekzekutoi disa dhjetera studente opozitare ne oborrin e Politeknikumit.

Top Channel