Gjendja shëndetësore e pretendentit për fronin mbretëror, Leka Zogu i parë është permirësuar.
Mjekët që po e kurojnë pohojnë se 72-vjeçari ka dale nga gjendja e vështirë. Ai u shtrua në spitalin numer 5 në Tiranë mbrëmjen e së martës.
Ndërkohë, drejtuesit më të lartë të shtetit kanë vizituar Leka Zogun e Parë, në reanimacionin e Qendrës Spitalore Universitare në Tiranë.
Fillimisht ishte Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i cili qëndroi për disa minuta pranë shtratit të Leka Zogut. Duke dalë nga ambientet e spitalit, presidenti Topi dha këtë prononcim për mediat: “Natyrisht, jam i shqetësuar për shëndetin e tij. Arrita të komunikoj lirshëm, pavarësisht gjendjes klinike që e ka përshkruar në buletin mjekësor profesor Petrela. Komunikimi i tij ishte i kthjellët, i urova shërim të shpejtë dhe se teprova me qëndimin e tepërt, pasi në gjendjen e tanishme ka nevojë për pushim. Komunikimi me të ishte i ngrohtë dhe shumë i kthjellët”.
Ndërsa Kryeministri Berisha, pas vizites dhe konsultimit me mjekët që po kurojnë Leka Zogun tha se ai ka shenja përmirësimi: “Është një gërshetim patologjie komplekse, por gjendja dhe parametrat në tërësi, siç më njoftojnë ekipi që ndjek në mënyrë permanente madhërinë e tij Leka I, ka një shenjë të qartë përmirësimi. Mjekët po bëjnë gjithçka, qeveria do të japë çdo mbështetje, në mënyrë që të kapërcehet problemet”.
“72-vjeçari Leka Zogu i Parë është shtruar në reanimacionin e neurokirurgjisë, në Spitalin Nr. 5 në Tiranë, për shkak të komplikacioneve nga fibrilacioni arterial, një formë e aritmisë.
Top Channel