METE, 9 në pranga për korrupsion

17/11/2011 00:00

“Task Force” në prokurorinë e Tiranes ka siguruar prova të mjaftueshme me anë të përgjimit për të arrestuar nëntë zyrtarë të drejtorisë së përgjithshme të meterologjisë.

Mes të arrestuareve edhe zëvendesdrejtori i përgjithshem i saj, Roland Çelmeta, një nga antarët e kryesisë së LSI-së dhe një ndër aktivistet më të njohur të kësaj partie në vitet e fundit.|

Operacioni policor i koduar “Kalibrimi”, ka bërë të mundur të ekzekutojë nënte fletë arreste të siguruara në gjykatën e shkallës së parë në Tiranë.

Zyrtaret akuzohen për korrupsion pasiv, ushtrim të ndikimit të paligjshëm, vjedhje duke shpërdoruar detyrën si dhe shpërdorim detyre. Kallzimi penal ndaj tyre ishte kryer nga vetë strukturat e kësaj drejtorie, pasi sipas tyre dyshonte se nuk derdhnin në arkën e shtetit të gjitha të ardhurat që përfitohej nga kalibrimi i njësive të peshëmatjes.

“Nga hetimi i deritanishëm ka rezultuar se shtetasit, pasi merrnin paratë e kolaudimit apo kalibrimit të njësive të peshëmatjes, një pjesë të konsiderueshme të ardhurash nuk i kalonin në arkën e shtetit”, informojnë forcat e rendit nëpërmjet zëdhënëses së tyre, Alma Katragjini.

“Po ashtu, në shumën e rasteve nuk u jepnin subjekteve të ndryshme faturat e TVSH-së si dhe duke u kërkuar rryshfet subjekteve të ndryshme për të bërë kalibimin apo kolaudimin e njësive të peshëmatjes. Aktualisht, gjatë shtrirjes së hetimit është konkluduar se shtetasit, në bashkëpunim përmes tyre, bënin kolaudimin fiktiv të distributorëve të karburanteve të naftës, duke bërë të mundur që subjekte të ndryshme që tregëtojnë karburant apo gaz të kenë mundësi që të përfitojnë duke shitur më pak nga sasia që tregojnë aparaturat”.

Inspektorët dyshojnë se kalibrimi apo kolaudimi fiktiv bëhej edhe me bukën për të cilen ka patur gjithmonë dyshime nga konsumatoret dhe me dhjetra denoncime në media.

Këta inspektore lejonin që në peshoret e furrave të bukës, subjektet trëgëtare të përfitonin duke shitur bukën nën peshën reale. Të njëjtën gjë bënin edhe në supermarkete ku bënin kolaudimin fiktiv në peshoret e këtyre subjekteve.

Ndërkohë që Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës e cila ka nën varësi këtë shërbim në një deklaratë të saj shprehet se distancohet nga veprimet korruptive të çdo individi, i cili abuzon me detyrën e shtetit.

Për METE-n, çdo person mban përgjegjësi individuale për punën dhe veprimet e tij. Ajo deklaron se do te nisë analizat e saj jo vetëm për këtë drejtori, por edhe për institucionet e tjera të varësisë, për të marrë masa të nevojshme.

Arrestimet e fundit i shtohen disa skandaleve të tjera që kanë ndodhur vetëm vitet e fundit në Ministrine e Ekonomisë.

Top Channel