Kuvendi i Republikës së Kosovës diskutoi të enjten projekt-ligjin për buxhetin e vitit 2012-s.
“Ky buxhet është dëshmi që qeveria është në shërbim të Kosovës dhe të interesave të saj. Buxheti garanton zhvillimin ekonomik të vendit, i bazuar në projektet realiste të zhvillimit”, deklaroi kryeministri Thaci.
Ministri i Ekonomisë, Bedri Hamza duke prezantuar buxhetin, tha se ai parashihet të jetë 1.5 miliardë euro me rritje ekonomike prej 5 përqind. Sipas ministrit buxheti është hartuar në koordinim me Fondin Monetar Ndërkombëtar.
Duke marrë parasysh ecurinë në eurozonë ministri paralajmëroi rënie të remitancave dhe ngritje të cmimeve sidomos të naftës dhe derivateve të saj. Inflacioni sipas tij, pritet të jetë 2. 3 përqind.
Ashtu sic pritej, opozita e kundërshtoi ashpër këtë buxhet. Lidhja Demokratike e Kosovës duke vlerësuar se buxheti i qeverisë është peng i politikave dhe premtimeve të gabuara elektorale, propozoi buxhetin alternativ.
Disa nga pikat më të rëndësishme, që bien në kundërshtim me përllogaritjet e qeverisë, është ndërtimi i autostradës “Ibrahim Rugova” dhe privatizimi i PTK-së.
LDK-ja propozoi që projekti i autostradës të përfundojë në 2014 e jo në 2013 e po kështu, sipas LDK-së privatizimi i Postës duhet të shtyhet për vitin 2013 për shkak të dividendës prej 60 milionë që qeveria merr cdo vit nga Posta.
Me përjashtim të grupit parlamentar të PDK-së dhe AKR-së, partitë e tjera opozitare Vetëvendosje dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës janë shprehur kundër këtij buxheti.
“Qeveria e kë lënë ekonominë e Kosovës të ecë vetë. Me parashikimin prej 5 përqind rritje ekonomike, qeveria praktikisht lë ekonominë të ecë vetë, duke mos ndërhyrë vetë. Qeveria ka hequr dorë nga lufta kundër evazionit fiscal”, tha Ardian Gjini, deputet i Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaci reagoi kundër përllogaritjeve të LDK-së për ndërprerjen e punimeve në autostradë. Thaci tha se kjo do të ishte ndërprerje e zhvillimit ekonomik.
Në fakt autostrada Vërmicë-Mërdarë mbetet një prej investimeve me të mëdha të Kosovës për të cilin qeveria ka ndarë 296 milionë.
Ndërkaq, investimet kapitale sipas ministrit, Bedri Hamza në raport me vitin 2011 rriten për 15 përqind apo 40 përqind të buxhetit të vitit 2012.
Top Channel