“West Side Story” rikthehet në Hollivud

16/11/2011 15:40

50 vjet pasi versioni origjinal i filmit ikonik, “West Side Story” ka pasur premierën, protagonistët u përjetësuan në Hollivud me yjet e Rita Moreno, George Chakiris dhe Russ Tamblyn.

Gjurmët e tyre tanimë gjenden në oborrin e “Grauman Chinese Theater”, pikërisht aty ku filmi u shfaq për herë të parë në vitin 1961.

Emocione të jashtëzakonshme kanë provuar të pranishmit në këtë ceremoni, e cila bëri bashkë tre yjet e produksionit ikonik me legjenda të kinematografisë botërore. Aty janë kujtuar edhe protagonistët që janë shuar.

Bashkëprotagonistja në këtë film, Natalie Wood tanimë është vetëm në memorien e miqve të saj…ajo është shuar në vitin 1981 në Kaliforni pas një aksidenti tragjik.

Russ Tamblyn në këtë moment nderimi për yjet e “West Side Story” kujton aktoren Wood dhe rrëfen:  

“Ajo që po mendoj më shumë këtë mbrëmje është fakti se sa shumë do e kishte shijuar Natalie këtë moment, njësoj siç edhe unë po e shijoj, njësoj siç po e shijojmë të gjithë ne”.

Aktorja Rita Moreno vijoi duke pohuar: “Do doja shumë që Natalie të ishte këtu. Është pjesa që i mungon këtij kuarteti i cili ka bërë histori”.

Filmi “West Side Story” i bazuar në muzikalin e Broadway-t të vitit 1957 i Arthur Laurents dhe Leonard Bernstein pati premierën më 18 tetor 1961. Ai ka fituar 10 çmime OSCAR, përfshirë edhe trofeun për fotografinë më të mirë dhe çmimet për aktorët dytësorë të interpretuar nga Chakiris dhe Moreno.

Filmi shumë shpejt u shndërrua në një prej produksioneve më të suksesshme të kinemasë. Përjetësimi i aktorëve me gjurmët e duarve dhe të këmbëve shenjon kështu 50-vjetorin e realizimit të këtij filmi ikonik.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA