Tatimfitimi, Tatimet: Ndryshon procedura e parapagimit me këste

16/11/2011 08:30

Parapagimi i tatimit mbi fitimin, duke u bazuar nga bilancet ekonomike të mëparshme për bizneset konsiderohet ‘molla’ e sherrit mes tatimeve dhe subjekteve private, si dhe shteg për korrupsion.

Prej vitesh, sidomos tani me periudhën e krizës, bizneset ankohen se tatimet kërkojnë pagesa fitimesh më të larta, në një kohë kur xhirot kanë rënë. Për këtë shkak, shumë subjekte janë penalizuar me gjoba të rënda, sidomos sektori i ndërtimit.

Po me ndryshimet e fundit të propozuara nga Ministria e Financave, ndoshta bizneset e kanë një mundësi të deklarojnë këste më vogla të parapagimit të fitimit, por duke u bazuar mbi disa kritere të forta, madje deri-diku penalizuese.

Më konkretisht, ndryshimet prekin udhëzimin e ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”, pika 3.13.2, ku thuhet se, “në rastin kur tatimpaguesi, në çdo kohë, gjatë periudhës tatimore, vërteton para organeve tatimore se tatimi mbi fitimin për këtë periudhë tatimore do të jetë, në mënyrë domethënëse, më i ulët se tatimi mbi fitimin në periudhën paraardhëse ose periudhën e dytë paraardhëse, atëherë organet tatimore pranojnë zvogëlimin e parapagimeve të kësteve të tatimfitimit të paracaktuara nga organi tatimor”.

Sipas administratës tatimore, me dorëzimin e deklaratës vjetore të tatimit mbi fitimin, në rast se detyrimi tatimor për tatimin mbi fitimin tejkalon shumën e parapagimit të tatimfitimit në më shumë se 10 për qind, tatimpaguesi duhet të paguajë interes, në masën 5 për qind mbi diferencën ndërmjet detyrimit real vjetor sipas deklaratës së tatimfitimit vjetor dhe shumës së tatimfitimit të parapaguar gjatë vitit.

Mënyra sesi do të veprohet është treguar me një shembull tipik, se kur biznesi llogarit më pak parapagim dhe kur ai paguan interes 5 për qind.

Tatimi mbi fitimin është pjesë e taksës së sheshtë, prej 10 përqindësh, nga 20 për qind që aplikohej rreth tre vjet më parë. Tashmë kjo taksë është kthyer në objekt debati mes opozitës dhe mazhorancës sa i takon normës së shkallës tatimore dhe mundësisë për ta rritur, në kushtet e krizës dhe mungesës së të ardhurave në buxhet. Kjo taksë zë një peshë prej 13 përqindësh në të ardhurat totale tatimore. Deri në shtator të këtij viti, të ardhurat nga tatimi mbi fitimin arritën në rreth 15.3 miliardë lekë nga 13 miliardë të mbledhura një vit më parë, me një rritje te ndjeshme prej gati 17 përqindësh, dhe në linjë me planin e rishikuar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA