I ashtuquajturi Këshilli Nacional Serb i Veriut të Kosovës ka kundërshtuar marrëveshjet e arritura në bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradi.

Sipas këtij Këshilli, marrëveshjet e arritura bien në kundërshtim me interesat e serbëve të Kosovës dhe bëjnë të pamundur mbijetesën e tyre.

Gjithashtu, organizata në fjalë ka kritikuar edhe propozimin për menaxhimin e integruar të kufijve, i cili sipas tij con në njohjen e plotë të pavarësisë së Kosovës.

“Ky propozim con në pranimin e plotë të sovranitetit të Kosovës dhe për rrjedhojë cënon interesat kombëtare e shtetërore të Serbisë”, thuhet në një komunikatë, publikuar nga RTK.

Në dokumentin në fjalë, që mban firmën e kryetarit të Këshillit Milan Ivanovic, kritikohet edhe presidenti serb Boris Tadic, për pasojat e politikës së tij “të gabuar”, si dhe negociatori Borko Stefanovic, për veprimet e tij “antikushtetuese”.

Ndërkohë, serbët e veriut janë tubuar të mërkurën dhe kanë mbajtur një minutë heshtje për serbin e vrarë dhe dy të tjerët të plagosur disa ditë më parë në lagjen Kroi i Vitakut.

Propozimi për menaxhimin e integruar të kufijve u bë nga ndërmjetësi i BE në procesin e bisedimeve, Robert Cooper dhe pritet të diskutohet në raundin e ardhshëm të dialogut, që mund të mbahet edhe të premten.

Nga ana e saj, pala kosovare u shpreh e gatshme për të diskutuar për këtë propozim, të cilin e kishte refuzuar rreth një muaj më parë, me pretendimin se devijon dialogun nga cështjet teknike. 

Top Channel