Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ripërtëriu mandatin 12-mujor të Bashkimit Evropian dhe NATO-s për asistimin e Bosnjës në çështjet e sigurisë, në një kohë kur situata e sigurisë në rajon vlerësohet të jetë “një kërcënim për paqën dhe sigurinë ndërkombëtare”.

Misioni i BE-së në Bosnjë, EUFOR, dhe qendra ushtarake e NATO-s në Sarajevë, e përbërë nga disa qindra ushtarë dhe anëtarë të stafit civil, do të vazhdojnë misionet e tyre deri në nëntor të vitit 2012.

Këshilli 15-anëtarësh i Sigurimit miratoi unanimisht një rezolutë me të cilën autorizohen të gjitha shtetet “për marrjen e masave të nevojshme në asistimin e BE-së dhe NATO-s”.

Sipas rezolutës, të dy mekanizmat mund të marrin gjithashtu të gjitha masat e nevojshme “për t’u vetëmbrojtur nga sulmet apo kërcënimet”.

EUFOR nisi misionin e tij në vitin 2004, duke zëvendësuar një mision stabilizues të Kombeve të Bashkuara, me qëllim asistimin e Bosnjës në zbatimin e Marrëveshjes së Dejtonit të vitit 1995.

Rezoluta e Këshillit të Sigurimit rithekson rëndësinë për zbatimin në tërësi të kësaj marrëveshjeje, e cila i dha fund konfliktit ndërmjet serbëve, kroatëve dhe myslimanëve të Bosnjës.

Bosnja vazhdon të mos ketë një qeveri efektive që nga viti i kaluar. Anëtarët e Këshillit thanë se me mungesën e një qeverie të re janë dëmtuar përpjekjet për reforma demokratike.

Top Channel