Me 255 vota pro dhe 38 kundër qeveria e re e unitetit kombëtar ka marrë në mbrëmjen e së mërkurës votëbesimin e shumicës së parlamentit grek.
 

Katër parti parlamentare kanë mbështetur me votën e tyre qeverinë Papadhimos, socialistët ,konservatorët, ultranacionalistët si dhe partia Aleanca Demokratike e Dora Bakojanis.
 
Përvec partisë së Aleancës së majtë dhe asaj komuniste, nuk kanë mbështetur kabinetin e ri edhe dy deputetë të socialistëve, një i Demokracisë së re dhe dy deputetë të pavarur.
 
Më herët në fjalimet e tyre kanë shprehur mbështetjen ndaj qeverisë së re kryetari i Pasok, UT Jorgos Papandreu, udhëheqësi i Demokracisë së re Andonis Samaras si dhe kryetari i ultranacionalistëve të partisë Laos Jorgos Karatzaferis.
 
Kritika të ashpra kanë ushtruar partia e Aleancës së Majtë Syriza si dhe partia komuniste.
 
Në fjalimin e tij të dytë kryeministri i ri, Lukas Papadhimos ka falënderuar të gjithë ata që mbështesin kabinetin e tij në këtë rrugë të vështirë. Ai ka shfaqur optimizmin se me masat e duhura dhe vendime gjeniale do të mund të përballohet kriza e borxhit, gjithnjë duke qenë Greqia pjestare e zonës së euros.
 
”Nëse dalim nga Eurozona,  ka thënë Papadhimos. Do të ketë një zhvlerësim të monedhës, do të rritet inflacioni, Greqia nuk do të mund të paguajë borxhet dhe pasuria e saj shtetërore do të shitet me cmime nga më të ultat”.
 
Edhe njëherë ai ka ripërsëritur se duke qenë të bashkuar duhet të zbatohen reformat, të shfrytëzohen ndihmat financiare, të veprohet sa më shpejt për ta bërë konkurrente ekonominë. Për fat te keq vendi duhet të bëjë për dy vjet atë që nuk ka bërë për dhjetë vjet.

”Në ditët në vijim, ka deklaruar Papdhimos. Qeveria do të bëjë c’është e mundur për lëvrimin e këstit të 6-të ndihmës, ratifikimin e marrëveshjes së 26 tetorit dhe dorëzimin e projektbuxhetit për vitin 2012 për aprovim në parlament”.

Top Channel