Ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle ka deklaruar se vendi i
tij nuk ka asnjë dyshim për integritetin territorial të Kosovës.

“Për ne integriteti territorial i Kosovës nuk vihet në pyetje”, tha Westerwelle, pas takimit të së hënës të ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të BE.

Përsa i përket statusit të kandidatit për Serbinë, shefi i diplomacisë gjermane nënvizoi se kjo është një cështje që do të diskutohet.

“Nga ata që dëshirojnë të anëtarësohen në BE ne persim bashkëpunim dhe jo konfrontim”, u shpreh zoti Westerwelle.

Ai theksoi se, edhe vendet e BE-së që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës nuk e vënë në pikëpyetje integritetin territorial të saj.

Gjithashtu, këto vende sipas tij, pajtohen se konfliktet nuk mund të zgjidhen me përballje mes palëve, por me anë të bashkëpunimit.

“Unë kam qenë atje dhe e kam parë situatën. Ata që dëshirojnë të hyjnë në BE nuk duhet të guxojnë ta mbështesin dhunën”, tha Westerwelle.

Duke qendruar tek Serbia, shefi i diplomacisë gjermane shtoi se mes kushteve për integrimin evropian janë edhe marrëdhëniet e mira fqinjësore me Kosovën.

Para zotit Westerwelle, me gazetarët komunikoi shefja e Politikës së Jashtme të BE, Catherine Ashton, e cila u shpreh optimiste se bisedimet Kosovë-Serbi do të rifillojnë së shpejti.

Top Channel