Një duet i realizuar në vitet ‘80-të, do të mund të publikohet vetëm vitin e ardhshëm. Bëhet fjalë për dy legjendarë të muzikës botërore, Freddie Mercury dhe Michael Jackson të cilët do të ‘rikthehen’ me një duet në një kohë kur asnjëri prej tyre nuk është më në jetë.
Është tabloidi britanik “The Sun” që raporton se në vitin 2012, dueti i dy legjendarëve do të publikohet dhe fansat e tyre tanimë do të kenë një arsye të madhe për t’u gëzuar e për të rendur në dyqanet muzikore.
Më në fund, familja e Jackson i ka dhënë leje Brian May dhe Roger Taylor, anëtarë të bandës legjendare “Queen”, që të punojnë për materialin e incizuar në vitin 1983 dhe të mund ta publikojnë atë.
“The Sun” citon kitaristin e “Queen” të ketë thënë: “Familja e Jackson na ka dhënë leje që të punojmë në materialin e regjistruar gati 3 dekada më parë. Megjithatë, kjo nuk është diçka që duhet përfunduar shpejtë, sepse na duhet kohë që ta përpunojmë në mënyrë kualitative”, ka theksuar kitaristi May.
Sipas raporit të tabloidit britanik, kjo demo është regjistruar në shtëpinë e mbretit të muzikës pop gjatë kohës kur “Queen” ishte në turne nëpër SHBA dhe vitin e ardhshëm do të publikohet.
Top Channel