Peshkopi serb për Rashkën dhe Prizrenin, Teodosje ka deklaruar se marrëdhëniet mes Kishës Ortodokse dhe Policisë së Kosovës janë mjaft korrekte.

“Nuk kam arsye të jem i pakënaqur. Ata janë korrektë ndaj nesh dhe deri më tani nuk ka ndodhur dicka që do të thosha se paraqet problem, apo rrezik për jetën dhe ekzistencën tonë këtu. Secili bën punën e vet, secili ka angazhimin e tij”, ka deklaruar Teodosje për “Deutsche Welle”.

Edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani ka deklaruar se, që nga viti 2009, kur Policia e Kosovës nisi mbrojtjen e kishave dhe manastireve, sulmet ndaj objekteve të kultit kanë rënë ndjeshëm.

“Në vitin 2007 kemi pasur 90 raste të sulmeve ndaj objekteve të kishës serbe, ndërsa në 10 muajt e këtij viti rastet kanë qenë vetëm 32 dhe ndaj objekteve të të gjitha besimeve”, ka bërë të ditur Kelani.

Zëdhënësi ka nënvizuar më tej se gjatë vitit të kaluar janë arrestuar 14 persona që kishin kryer agresione ndaj objekteve fetare dhe varrezave, me qëllim grabitjen e tyre.

Top Channel