Serbët e veriut kërkojnë shtetësi ruse

14/11/2011 17:15

Disa shoqata serbe nga veriu i Kosovës i kanë dërguar një letër ambasadës ruse në Beograd, përmes të cilës kanë kërkuar që mijëra serbëve të Kosovës t’u mundësohet marrja e shtetësisë ruse.

Sipas kësaj letre, ky vendim i serbëve të Kosovës vjen si rrjedhojë e revoltës dhe dëshprimit të tyre ndaj pushtetit të Beogradit.

“Ky veprim është një manifestim i pakënaqësisë dhe njëherësh një vërejtje për pushtetin tonë në Beograd, sepse tregon se qytetarët serbë që jetojnë në Kosovë kanë më shumë besim tek një shtet tjetër sesa tek vetë Serbia”, thuhet në letër.

Pak ditë më parë, kryetarët ilegalë të katër komunave veriore të Kosovës, pas një takimi të mbajtur kërkuan të merrnin pjesë në mbledhjen e Kuvendit të Serbisë që do t’i kushtohet Kosovës.

Ata iu drejtuan të ashtuquajturit ministër për Kosovën, Goran Bogdanovic, me lutjen që të ndihmojë ekzistencën e popullit serb në Kosovë.

Madje, ata bënë të ditur se një kërkesë të tillë do t’ia drejtonin edhe kryeministrit rus Vladimir Putin.

Kryekomunarët ilegalë premtuan rezistencë paqësore, por nga ana tjetër kërcënuan se kurrë nuk do të lejonin ngritjen e kufijve në Jarinjë e Bërnjak.

Top Channel