Papadhimos: Borxhi reduktohet me 9 përqind

14/11/2011 21:00

Në fund të këtij viti, niveli i borxhit publik të Greqisë do të bjerë në 151 përqind të prodhimit të brendshëm bruto.

Kjo është deklarata e kryeministrit të sapoemëruar grek, Lukas Papadhimos. Papadhimos tha se niveli i borxhit, do të ulet me 9 përqind, nga 160 përqind të PPB-së që është aktualisht. Por për kryeministrin grek, më e rëndësishme në këto ditë të vështira për Greqinë, është marrja e këstit të radhës të ndihmave, rreth 8 miliard euro.

“Urgjente është zhbllokimi dhe marrja e këstit të gjashtë të paketës së ndihmës financiare, ndërsa prioritet tjetër mbeten bisedimet me trojkën për arritjen e një marrëveshje për marrjen e paketës së dytë të ndihmës financiare”, tha Papadhimos në fjalimin e tij të parë para deputetëve grekë.

Papadhimos deklaroi se vendi ka nevojë për reforma të thella në strukturën ekonomike. Ai fajësoi sistemin e mëparshëm ekonomik, si përgjegjësin kryesor të gjendjes në të cilën ndodhet ekonomia greke.

Qeveria e unitetit kombëtar e krijuar pas një marrëveshje të gjërë politike mes PASOK-ut dhe konservatorëve të Demokracisë së Re do të paraqitet para parlamentit grek ditën e mërkurë. Votimi pritet të jetë thjesht formal, pasi Papadhimos dhe ministrat e kabinetit të tij, gëzojnë mbështetjen e dy partive të mëdha, c’ka nuk pritet të sjellë surpriza të pakëndëshme gjatë votëbesimit.

Top Channel