Njëri ndër avokatët e pavarësisë së Kosovës në SHBA, kongresisti Eliot
Engel, sërish ngre zërin për shtetin e ri, por në këtë rast për veriun e
tij, i cili vazhdon të prodhojë tensione dhe të jetë i pakontrollueshëm
nga Qeveria e Prishtinës.

Kongresisti që merret me çështjen e Kosovës, për më shumë se 20 vjet, i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që ta zgjidhë sa më shpejt problemin e veriut, për të shmangur më të keqen.

“Mendoj se situata në veri duhet të adresohet shpejt. Sa më gjatë që nuk merremi me problemin, aq më keq do të bëhet në të ardhmen. Është një problem që duhet zgjidhur, sepse po qe se nuk zgjidhet, do të kemi ndarjen de facto të Kosovës. Nëse Qeveria në Prishtinë nuk mund të ushtrojë të drejtën për të kontrolluar mbi një pjesë të Kosovës, atëherë kemi telashe. Nëse kemi institucionet paralele që e sfidojnë sundimin e ligjit, atëherë kemi telashe”, tha Engel, ben te ditur Europa e Lire.

“Nëse ka elemente kriminele që lejohen të bëjnë çfarëdo që të duan pa u ndëshkuar, që bëjnë para në mënyrë të paligjshme, që kërcënojnë njerëzit; nëse kemi bandat që vijnë nga Serbia në veri të Mitrovicës dhe kjo tolerohet, atëherë mendoj se përkushtimi që i qe bërë Kosovës kur u pavarësua dhe kur përfundimisht u fuqizua Kushtetuta, nuk u përmbush”, tha kongresisti Eliot Engel, në një ligjëratë të mbajtur para studentëve të Universitetit Amerikan në Kosovë.

Kritikat më të mëdha për gjendjen në veri, ku tensionet janë ngritur më shumë pas aksionit të Prishtinës për të kthyer kontrollin në pikat kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë, kongresisti Engel ia adresoi komunitetit ndërkombëtar. Në këtë kuadër, ai kërkoi që pavarësisë së mbikëqyrur t’i vijë fundi: “Mendoj se është koha që demokracia e mbikëqyrur, pavarësia e mbikëqyrur të përfundojë. Mbikëqyrja duhet të përfundojë. Kosova është shtet i lirë dhe i pavarur dhe duhet të trajtohet si i tillë. Nuk mendoj se një shtet i lirë dhe i pavarur duhet të tolerojë një situatë kur një pjesë e vendit është e okupuar”.

Top Channel