KESH do ta kujtojë gjatë periudhën e artë kur prodhonte në vit mbi 7 miliardë kilovat energji elektrike dhe kur fitimet arrinin në 120 milionë euro, aq sa mbushi dhe arkën e shtetit me taksa, ndërsa eksportet gjeneronin të ardhura të mjaftueshme. Bëhet fjalë për vitin 2010, ku prurjet në lumin Drin ishin të konsiderueshme, e ndërsa tani regjistron nivelin gati 3-fish më të ulët.
Në këto kushte vendi rrezikon të ketë vështirësi të theksuara në furnizimin me drita, pasi prodhimi nuk garanton nevojat e vendit. Megjithatë, drejtuesit e Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare janë duke manovruar me të gjitha mjetet e mundshme për të ekuilibruar humbjet nga mungesa e prurjeve të ujit në kaskadat e tre HEC-ve kryesore në Veri, Fierzës, Komanit dhe Vaut të Dejës.
“Viti i kaluar ka qenë një vit i lagësht dhe prurjet mesatare vjetore në liqenin e Fierzës për vitin 2010 kanë qenë 347 metër kub/sek, ndërsa prurjet mesatare për 10-mujorin e vitit 2011 janë 133 metër kub/sek”, – bën të ditur kreu i KESH-it, Engjëll Zeqo. Niveli aktual i prurjeve është më i ulët se mesatarja shumëvjeçare për këtë periudhë.
Mungesa e reshjeve të mjaftueshme nuk i lejon korporatës të punojë me kapacitet të plotë, ndërsa prodhimi ditor ka arritur në 6 milionë kilovat, shumë larg rekordit të 28 milionëve, regjistruar në fundin e vitit 2010.
Kompania shtetërore e prodhimit të energjisë elektrike është duke u përpjekur të menaxhojë sa më mirë kaskadën, duke ruajtur rezervat përmes manovrës së importeve. Zeqo thotë se KESH ka nisur blerjet e energjisë elektrike nga jashtë që prej muajit prill për të krijuar rezerva të mjaftueshme, megjithatë nuk e fsheh shqetësimin e një rreziku për furnizim normal.
“Kjo bëri të mundur që në fund të muajit shtator (me gjithë prurjet e ulëta), të dilnim me kuotën 271 m në Fierzë, e cila për kohën është një kuotë optimale, si nga pikëpamja e shfrytëzimit, por dhe si një kuotë që lejon mbajtjen e prurjeve të mëdha të sezonit të vjeshtës”, – thotë drejtori i korporatës. E detyruar për të ruajtur akoma dhe më shumë rezervën, kompania e ka ulur prodhimin e energjisë nga 7 në 6 milionë kilovat energji në ditë.
Aktualisht, niveli në liqenin e hidrocentralit të Fierzës është rreth 265 metër, kurse rezerva energjetike në kaskadën e lumit Drin është rreth 356 GËh (e barasvlefshme për 20 ditë drita).
Natyrisht, nëse situata vijon me prurje të pamjaftueshme atëherë KESH do të vihet në situatë të vështirë financiare, e për rrjedhojë, edhe vet konsumatorët nga kërcënimi i kufizimeve.
“Masa më konkrete që KESH ka marrë është rritja e nivelit të importit në kufijtë maksimalë të mundshëm; për muajin nëntor niveli i importit të energjisë elektrike nga KESH arrin në 10,8 milionë kilovat në ditë”, – thotë drejtori i përgjithshëm. KESH është kompania kryesore që garanton vetëm prodhimin e energjisë, pasi furnizimi është atribut i CEZ, e cila e blen te korporata me çmim të vendosur nga ERE. Pra, detyra e ndërmarrjes shtetërore është të sigurojë energji, ndërsa mënyra sesi menaxhohet është funksion i posaçëm i kompanisë çeke. Sakaq, mësohet se përveç KESH-it, po importon edhe CEZ, në kuotën e 3.6 milionë kilovat, sasi kjo e nevojshme për të mbuluar humbjet në rrjet nga vjedhjet. Pra, të marra së bashku, Shqipëria është duke importuar një sasi energjie që shkon në rreth 14.4 milionë kilovat energji.
Ka shumë prej atyre që mendojnë se eksportet e kryera nga korporata ndikuan negativisht në uljen e rezervës, por Zeqo thotë se procedura e fundit për shitjen e energjisë është kryer që në janar, pra në fillim të këtij viti. “Situata aktuale ka ardhur nga dy faktorë kryesorë; kushtet hidrologjike të vitit 2011, ndërsa faktori i dytë është rritja shumë e madhe e konsumit të energjisë elektrike në vendin tonë”, – shprehet Zeqo. Në fillim të vitit, kur CEZ paraqiti kërkesën për energji elektrike në KESH kjo kërkesë ishte 4,3 miliardë kilovat energji, por gjatë kësaj periudhe kompania çeke ka devijuar nga plani, duke kërkuar 30 për qind më shumë energji. Ecuria e deritanishme e konsumit tregon se është shpenzuar e gjithë sasia e porositur nga CEZ, kur mbeten më pak se dy muaj nga mbyllja e vitit dhe fillimit të kontratës së re.
Top Channel