Nëse shumica parlamentare e mbështet mocionin e ri të lëvizjes “Vetëvendosje”, i cili do të hidhet në votim ditën kur Ministrja e Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, do të paraqitet për interpelancë në Kuvend, atëherë Qeveria e Kosovës do të detyrohet që t’i rikthejë masat e reciprocitetit tregtar me Serbinë derisa shteti fqinj të njohë formalisht Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran.

Siç kujtojnë mediat kosovare ditën e dielë, masat e reciprocitetit tregtar me Serbinë dhe me Bosnjë-Hercegovinën u patën vendosur me 20 korrik, mirëpo, u patën hequr pa u bërë dy muaj të plotë, si rezultat i një marrëveshjeje të arritur në Bruksel mes ekipeve negociatore të Prishtinës dhe Beogradit.

Nga 16 shtatori, dita kur janë hequr këto masa, konsiderohet se në Serbi kanë hyrë fare pak mallra të Kosovës, ndërkohë që shumëfish më tepër kanë hyrë nga Serbia në Kosovë,

Për opozitën dhe një pjesë të shoqërisë civile, qeveria është duke vazhduar pa nevojë të zbatojë njëanshëm “marrëveshjen teknike”, pasi kështu është duke u dëmtuar ekonomia vendëse.

Në bazë të të dhënave të mbledhura nga “Vetëvendosje” rezulton se vetëm për dy muaj nga Serbia janë importuar në Kosovë mallra në vlerë prej 35 milionë eurosh, ndërkohë që lëvizja në kahun e kundër të drejtimit të njëjtë ka mbetur e papërfillshme.

Edhe ato pak maune me mall që kanë shkuar në Serbi thuhet se janë detyruar t’i merrnin dokumentet përcjellëse të mallit nga strukturat ilegale në veri të vendit, për shkak se Serbia nuk pranon kurrfarë dokumenti që mbanë mbishkrimin e Republikës së Kosovës.

Mocioni që është dorëzuar në Kuvend nga grupi parlamentar i “Vetëvendosjes” përmban këto tri pika:

1. Qeveria t’i rikthejë masat e reciprocitetit tregtar ndaj Serbisë derisa ajo ta njohë Kosovën formalisht si shtet të pavarur dhe sovran.

2. Ministria e Tregtisë dhe e Industrisë të nxisë dhe të udhëheqë bashkëpunimin me prodhuesit vendorë dhe me ndërmarrjet tregtare për gjetjen e zëvendësimeve për produktet e importuara ngas Serbia

3. Qeveria t’i forcojë të gjitha mekanizmat shtetërorë, si Doganat e Kosovës, Inspektoratin e Tregut etj. për ta siguruar zbatimin e përpiktë të masave të reciprocitetit tregtar ndaj Serbisë.

Top Channel