Dy ditë pas betimit të saj, qeveria e re e unitetit kombëtar në Greqi, nën drejtimin e Lukas Papadhimos, duket se ka mbështetjen e shumicës së opinionit publik në vend, sipas tre sondazheve të shtypit të së dielës.

72.9% e grekëve vlerëson se ishte një vendim i drejtë emërimi i bankierit të shquar si kreu i ekzekutivit  dhe 78% e të intervistuarve e quan hap pozitiv krijimin e qeverisë së re, sipas sondazhit të institutit “Kapa Research” që publikon gazeta “To Vima”. Gjithashtu pothujase 8 ndër 10 grekë e ndjejnë veten tani më shumë të sigurtë se Greqia ka një vend brenda eurozonës.

Edhe në sondazhin e që publikon gazeta “To Ethnos”, 79,1% ka mendim pozitiv për kryeministrin e ri, 76.4%  i japin votëbesimin për të marrë vendime të rëndësishme, ndërsa të paktën një ndër dy grekë beson se afati i saj, nuk duhet të mbarojë në 19 shkurt.

Vetëm me një qeveri koalicioni mundet që Greqia të përballojë problemet e vështira të vendit, konkludon sondazhi i tretë që publikon konservatorja “Real Ne?s”. Njëkohesisht 58,3%  e të intervistuarve, kërkon që Papandreu të largohet edhe nga udhëheqja e socialistëve të cilet përqendrojnë 11.9% të votave të grekëve, statistika me e ulët në historinë e PASOK-ut qysh prej krijimit të partisë.

Sipas sondazhit konservatorët kryesojnë me 21.8%, një shifer statike kjo për disa muaj. Përsa i përket shtypit të huaj, reagime të ashpra kanë ardhur nga gazeta gjermane Bild në lidhje me pjesëmarrjen e ultranacionalisteve grekë në qeverinë e re.

Në Francë dhënia e katër posteve qeveritare anëtareve të kësaj partie ,për herë të parë pas juntës ushtarake në 1974, ka shokuar socialistët. Ndërsa e përditshmja britanike “Telegraph” thekson se është gabim që fuqitë e mëdha europiane si Gjermania dhe Franca mbështesin qeveri teknokratësh në Greqi dhe Itali dhe jo qeveri të zgjedhura me votën e popullit.

Top Channel