”Riprekjet” e buxhetit nga njerëz joekspertë kanë sjellë dështimin e tij për të tretin vit radhazi, ndërsa qeveria nuk është në gjendje të bëjë parashikime realiste, bëri të ditur gazeta “Shqip” gjatë të dielës.
Vetë ekspertët e Ministrisë së Financave nuk janë në gjendje të japin një shpjegim të qartë se çfarë po i ndodh buxhetit të këtij viti. Ata shprehen se planet i kanë të sakta, madje sipas metodologjisë që përdor FMN, por “rrugës për në Kryeministri” ndryshojnë, dhe rezultati është ky që shohim.
Më pak se katër muaj nga rishikimi i parametrave fiskalë, qeveria e rishikon veten sërish në situatë tepër të vështirë, me mungesa të theksuara të ardhurash. Deri në muajin shtator, në buxhet ishin mbledhur rreth 9 miliardë lekë më pak se plani i rishikuar dhe nëse ecet me këto ritme, Ministria e Financave vlerëson se fundi i vitit do të na gjejë me 14 miliardë lekë deficit (afro 140 milionë dollarë).
Në këto kushte, kabineti i ministrit Ridvan Bode po shqyrton skenarin e radhës: hartimi i një tjetër ligji për buxhetin e shtetit 2011, duke e çuar në “tre herë” ndryshimin e projektit më të madh financiar në vend.
“Buxhetin do ta ndryshoj aq herë sa do ta kërkojë nevoja, jo 3, por 10 herë brenda një viti, mjafton t’i përgjigjemi në kohë situatës ekonomike në vend”, deklaroi këtë javë Ministri Bode, në Komisionin Parlamentar për Ekonominë dhe Financat.
Ndryshimi i shpeshtë i buxhetit gjykohet nga deputeti socialist, Arben Malaj si veprim aspak serioz i qeverisë, e cila shkakton vetëm dëme të pallogaritshme, kryesisht te biznesi privat. Edhe FMN është shprehur kundër ndryshimit të buxhetit, sidomos në mes të vitit pasi “nuk do të ishte i mirë rishikimi i kontratave të lidhura me privatin”.
Raportet aktuale
Ministria raporton se, gjatë vitit 2011, norma e rritjes së të ardhurave deri në muajin shtator ka qenë e moderuar në nivelin 1.1 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Sa i takon tatimeve dhe doganave, të ardhurat nuk janë rritur më tepër se 2.7 për qind, nivel ky aspak optimist po të kihet parasysh rritja e çmimeve dhe norma mesatare e inflacionit mbi 3 për qind.
Në total, të ardhurat e buxhetit të konsoliduar për periudhën 9-mujore të vitit 2011 arritën në 239.3 miliardë lekë, 2.5 për qind më pak se parashikimi në buxhetin e rishikuar në korrik dhe vetëm 1.1 për qind më shumë se një vit më parë.
Situata kritike po detyron qeverinë të hartojë një tjetër ligj për buxhetin, por ajo që shqetëson Ministrinë e Financave ka të bëjë me faktin se tashmë i kanë kryer të gjitha shkurtimet e mundshme dhe nuk kanë se çfarë mase ekstreme të marrin.
TVSH dhe tatimet
Taksa e Vlerës së Shtuar, me shkallë tatimore 10 për qind vijon t’i shkaktojë “gropën” arkës së shtetit shqiptar. Nga TVSH janë mbledhur gjithsej për 9-mujorin 84.7 miliardë leke, ose 0.5 për qind më shumë se një vit më parë dhe 1 për qind më pak se parashikimi në buxhetin e rishikuar për vitin 2011.
Mësohet gjithashtu, se nga administrata tatimore për periudhën janar-shtator janë mbledhur rreth 18.7 miliardë lekë TVSH nga 20.5 miliardë lekë të planifikuara sipas buxhetit të rishikuar 2011, që do të thotë 8.5 për qind më pak se parashikimi dhe 15.3 për qind më pak se një vit më parë.
Të marra së bashku, nga tatimet dhe doganat, të ardhurat janë realizuar në masën 97.1 për qind ndaj parashikimit, ose rreth 169 miliardë lekë nga afërsisht 174 miliardë lekë të planifikuara, dhe 2.7 për qind më shumë se 9-mujori i një viti më parë.
Plani 2012
Nga gabimet janë nxjerrë mësime të vlefshme, por qeverisë sonë nuk i ka vlejtur kjo praktikë. Në vitin 2010 e rishikoi buxhetin, duke shkurtuar 40 miliardë lekë shpenzime, pasi të ardhurat nuk dolën sipas planit.
Në këtë pikë, FMN sugjeroi një planifikim më realist për 2011-n, por gabimet u përsëritën dhe madje dy herë. Ministri pranoi ta shkurtonte buxhetin në korrik me minus 20 miliardë lekë dhe rrezikon të bëjë të njëjtin veprim edhe tani në muajin dhjetor.
Në këto kushte, plani për 2012 pritet të ishte më modest, nisur nga realiteti ekonomik. Në fakt, ndryshe nga vitet e kaluara, qeveria nuk parashikon rritje të ardhurash mbi 10 për qind, por kësaj here del me planin 8 për qind (FMN kërkoi 7.5 për qind).
Totali i të ardhurave parashikohet në nivelin e 355.8 miliardë lekë, ose sa 25.6 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Top Channel