Cfarë ka ndodhur në Parlamentin shqiptar gjatë muajit tetor? Raporti
“Unë votoj” i lëvizjes Mjaft tenton të japë përgjigje në lidhje me punën
e deputetëve, votimin e nismave ligjore dhe shkeljet që i bëhen
rregullores së Parlamentit.

Si shkelje të parë të kësaj rregulloreje, Elton Kacidhja i Lëvizjes Mjaft, vecon përdorimin e gjuhës së ulët. Në raport përmendet konkretisht ky incident i datës 13 tetor, kur Berisha tha ndër të tjera tha shprehjen: “Ta bëj fytyrën më të zezë se këpuca!”

“Nga kryetarja e Parlamentit që është moderatorja e seancave plenare, nuk pati asnjë lloj reagimi, asnjë tërheqje vëmendje për kryeministrin“, thotë Kacidhja.

Raporti ndalet në një shkelje tjetër të rregullores, nenit 36. Mungesa e grupeve të interesit gjatë diskutimit në komisione, sipas Mjaftit, ka ndikim negativ në vetë cilësinë e ligjeve:

“Rastet kur një ligj brenda një viti kalon 5 herë në parlament shqiptar, pra rikthehet e rikthehet, ku i bëhen disa ndryshime, do të thotë që këtu miratohen ligje pa u konsultuar me grupet e interesit, që kalojnë në mënyrë të nxituar dhe jo racionale”, thotë Kacidhja.

Një problem tjetër, që përmendet në raport, mungesa e kuorimit në komisione parlamentare. Raporti përmend 3 raste: Më 4 tetor komisioni për politikën e jashtme, më 10 tetor komisionin për veptimtaritë prodhuese dhe më 25 tetor komisioni për ekonominë dhe financat, kanë diskutuar dhe miratuar projektligje pa pasur kuorimin e nevojshëm. Raporti përmend vecon edhe dy emra deputetësh, që gjatë muajit tetor nuk kanë qenë të pranishëm në anjë seancë plenare, Dritan Priftin dhe Rudina Seserin. Raporti mbyllet me listën e plotë të projektligjeve të miratuara gjatë seancave plenare në muajin tetor. Që prej janarit të vitit 2006, raporti “Unë Votoj” i lëvizjes Mjaft është publikuar një herë në vit. Kësaj here, i financuar nga fondacioni Soros, raporti do të jetë i përmuajshëm.

Top Channel