Shefja e delegacionit të Republikës së Kosovës në bisedimet teknike me
Serbinë, Edita Tahiri, ka thënë se ideja e Bashkimit Evropian për
menaxhimin e përbashkët të integruar të gjithë kufijve në mes të Kosovës
dhe Serbisë si dy shtete fqinje, është e pranueshme për shtetin e
Kosovës, pasi një marrëveshje e tillë është konform përcaktimeve
kushtetuese të Republikës së Kosovës.

Sipas Telegrafit, Tahiri është shprehur se një model i tillë është duke u zbatuar me Shqipërinë dhe Maqedoninë. Ndërkohë, që është në përgatitje me Malin e Zi.

“Në parim kemi dhënë pëlqim që ky model të zbatohet edhe me shtetin fqinj, Serbinë”, ka thënë Tahiri.

Ajo ka thënë se nuk sheh ndonjë pengesë në zbatimin e kësaj marrëveshje me Serbinë. “Nuk shoh vështirësi për ta zbatuar këtë marrëveshje, sepse Kosova e ka sistemin unik të doganave dhe të kontrollit të kufirit. Sipas modelit evropian për menaxhimin e integruar të kufijve, dy shtetet që vendosin këtë bashkëpunim punojnë sipas juridiksionit të shteteve të tyre. Pra, të dyja shtetet zbatojnë ligjet e tyre”, është shprehur Tahiri.

Kryenegociatorja kosovare, Edita Tahiri ka mohuar zërat se BE po zhvillon bisedime me Serbinë lidhur me pikat kufitare 1 dhe 31, në Jarinjë dhe Bërnjak.

Reagimi i Tahirit ka ardhur pasi një zyrtar evropian deklaroi se palët po diskutojnë opsione të ndryshme, për të gjetur një zgjidhje që do t’i kënaqë të gjithë.

Por sipas shefes së delegacionit kosovar, deklarata të tilla janë vetëm propagandë e zyrtarëve serbë.

“Këto janë deklarata të pavërteta të lëshuara nga propaganda serbe. BE, SHBA dhe Kosova janë në të njëjtën linjë, se cështja e doganave është cështje e sovranitetit të Kosovës”,ka deklaruar Tahiri.

Sipas saj, pikat kufitare do të qeverisen nga institucionet kosovare, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, KFOR dhe EULEX.

Negociatorja ka nënvizuar më tej se BE po bisedon me palën serbe në lidhje me detyrimet e Beogradit përballë Unionit.

Serbët kundër doganave: Njohin Kosovën

Disa kryetarë të komunave paralele në veriun e Kosovës kanë hedhur poshtë propozimin që çështja e pikëkalimeve kufitare të zgjidhet nëpërmjet menaxhimit të përbashkët, duke deklaruar se ato kështu do të bëjnë të njihen kufijtë shtetërore të Kosovës.

Kryetari i komunës paralele të Zubin-Potokut, Slavisha Ristiç, deklaroi gjatë të premtes se ky propozim të cilin shtypi i Prishtinës ia atribuon ndërmjetësit të BE-së, Robert Cooper, “paraqet propozimin për instalimin e pikëkalimeve doganore”.

“Propozimi për të ashtuquajturat pikëkalime të integruara nuk është gjë tjetër veçse një propozim për pikëkalime doganore”, ka thënë Ristiç në një agjensi serbe lajmesh.

Kryetari i komunës paralele të Mitrovicës, Krstimir Pantiç, theksoi se menaxhimi i përbashkët i pikëkalimeve është term të cilin e ka dëgjuar nga shefi i ekipit negociator serb për bisedime me Prishtinë, Borislav Stefanovic.
“Ne nuk e dimë se për çka bëhet fjala, e as nuk duam të mendojmë për atë menaxhim të integruar të doganave, sepse në mes të Kosovës dhe Serbisë nuk mund dhe kurrë nuk do të ketë dogana ose vendkalime kufitare”, tha Pantiç.

Top Channel