Qeveria amerikane përmes zëdhënësit ka kërkuar ndërprerjen e dhunës dhe
vendosjen e qetësisë në Mitrovicë dhe në veri të Kosovës.

Në konferencën për media duke folur për incidentin tek Kroi i Vitakut në Mitrovicë, ku u vra një dhe u plagosën dy serbë, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit ripërsëriti qëndrimin e Washingtonit për përmbajtje dhe ulje të tensioneve.

“Ne në përgjithësi duam të shohim qetësi dhe jo dhunë”, tha zëdhënësi, Mark Toner.

Në New York ndërkaq zëdhënësi i Kombeve të Bashkuara, Martin Nesirky tha se autoritetet kompetente në Kosovë duhet të bëjnë hetim të plotë lidhur me rrethanat e incidentit. Zëdhënësi Nesirky përsëriti atë që kishte thënë edhe shefi i UNMIK-ut, Farid Zarif se incidentet e tilla ishin të papranueshme dhe mund të kërcënojnë paqen dhe sigurinë e Kosovës.

Incidenti i Mitrovicës, reagon Prishtina

Incidenti i së mërkurës mbrëma në lagjen “Kroi i Vitakut” të Mitrovicës, ku pas plagëve të marra vdiq një qytetar serb dhe dy të tjerë u plagosën, nuk do të ndikojnë në situatën e përgjithshmenë Veri.

Kështu deklarojnë në Qeverinë e Kosovës, por megjithatë, sipas zyrtarëve qeveritarë, incidente të tilla tensionojnë situatën në atë pjesë dhe nuk i kontribuojnë aktiviteteve të ekzekutivit.  

“Qeveria e Kosovës ka shprehur keqardhje për një incident të tillë. Natyrisht, e dënojmë incidentin dhe kërkojmë nga organet e drejtësisë që ta kryejnë punën e saj. Incidentet ndëretnike apo edhe incidentet me motive të tjera, pa marrë parasysh cilat mund të jenë, madje në rastin konkret, janë diçka që e tensionojnë situatën dhe nuk i kontribuojnë aktiviteteve që po i bëjmë ne”, deklaroi Hajderin Kuçi, zëvendëskryeministër i Kosovës.

Duke folur për ndikimin që mund të kenë incidentet e tilla në dialogun Kosovë-Serbi, Kuçi ka kujtuar se dialogu është çështje mes dy shteteve, ndërsa incidentet, sipas tij, ndikojnë në fuksionalizimin e shtetit të Kosovës.

Top Channel