Prishtina paralajmëron Shkupin se do të vendosë masa reciprociteti për mallrat nga Maqedonia si kundërpërgjigje ndaj vendimit të Qeverisë së Nikolla Gruevskit për bllokimin e importit të miellit nga Kosova.

Ministrja kosovare e Tregëtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, i është drejtuar me një letër Qeverisë së Maqedonisë ku kërkohet hapja e kufirit për eksportin e miellit nga Kosova.
 
Ministri i Ekonomisë në Shkup, Valon Saracini, premtoi se ky problem do të zgjidhet shumë shpejt. Ai paralajmëroi se do të angazhohet personalisht që të mos ketë bllokim të mallrave kosovare në Maqedoni.

“Bëhet fjalë për një vendim që ka sjellë Qeveria e Maqedonisë dhe unë personalisht do të angazhohem në këshillin ekonomik që të ndërpritet afati i këtij vendimi që është deri në fund të muajit nëntor. Ky vendim do të zhbllokohet shumë shpejtë dhe besoj se në të ardhmen nuk do të ketë vendime të ngjajshme”, tha Ministri i Ekonomisë në Maqedoni, Valon Saracini.
 
Deputeti i RDK-së, njëheresh edhe profesori i ekonimisë, Izeti Zeqiri, fton Qeverinë e Maqedonisë të jetë e kujdeshme në raportet tregtare me Kosovën për shkak të eksporit të madh në këtë vend.

“Kjo masë e vendosjes së kufuzimit të miellit nga Kosova do të ngjallë edhe masat tjera reciproke nga Kosova për vendosjen e reciprocitetit. Kjo mendoj se është e dëmshme për Maqedoninë duke marrë eksportin e mirë që ka Maqedonia me Kosovën”, tha deputeti RDK-së, Izet Zeqiri.

Në tetë muajt e parë të këtij viti Maqedonia ka eksportuar në Kosovë mallra në vlerë prej 365 milion dollarë, kurse ka importuar nga Kosova vetëm 25 milion dollarë.

Top Channel