Opozita kosovare vlerësoi në seancën parlamentare të së premtes se qeveria e Kosovës ka dështuar në integrimin e pjesës veriore të vendit.
Ahmet Isufi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kërkoi që qeveria të ketë një plan gjithëpërfshirës dhe të mos merret vetëm me deklarata boshe nga zyrat e ekzekutivit në Prishtinë.
Gjithashtu, deputeti i AAK-së kërkoi nga qeveria që për cështje që kanë të bëjnë me territorin e vendit, në plane të përfshihen edhe partitë opozitare.
Ndërkohë, Vjosa Osmani nga Lidhja Demokratike Kosovës kërkoi sqarime nga qeveritarët se përse marrëveshjet e arritura në bisedimet teknike me Serbinë po implementohen vetëm nga shteti i Kosovës dhe jo edhe nga Serbia.
Ndër të tjera, Kuvendi i Kosovës kishte në seancën e sotme në rend të ditës edhe debatin për procesin gjyqësor të rastit “Kicina”, por që u shty.
Për këtë debat para një viti ishte organizuar një peticion ku ishin mbledhur rreth 50 mijë nënshkrime.
Situata në veri të Kosovës u tensionua mbrëmjen e së mërkurës kur një polic serb u vra dhe dy serbë të tjerë u plagosën në një përleshje.
Mbi ngjarjen e ndodhur në lagjen Kroi i Vitakut po hetojnë agjentë të policisë së Kosovës, të ndihmuar nga kolegët e misionit EULEX.
Nga ana tjetër, qeveria e Prishtinës, duke komentuar ngjarjen, deklaroi se ajo nuk do të ndikojë tek situata e përgjithshme në veri të Kosovës.
Top Channel