Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunacek vlerëson se nuk ka gjasa që qytetarët kosovarë të përfitojnë heqjen e regjimit të vizave brenda 2012-ës.

Duke iu referuar periudhës që iu desh vendeve të tjera të Ballkanit për të përfituar heqjen e këtij regjimi, Lunacek ka theksuar se kosovarët duhet të presin dy ose tre vjet.

“Duke parë se sa ka zgjatur procesi për fqinjët, është reale të pritet që implementimi i udhërrëfyesit të realizohet pas dy ose 3 vjetësh”, ka deklaruar Lunacek.

Sa për veriun e Kosovës, eurodeputetja ka theksuar se qeveria e Serbisë duhet t’ua bëjë të qartë liderëve serbë në Mitrovicë se duhet t’i largojnë barrikadat.

“Beogradi duhet t’ua bëjë të qartë kryetarëve të katër komunave në veri të Kosovës se duhet të heqin barrikadat dhe të lejojnë lëvizjen e lirë, nëse është e nevojshme edhe përmes ndaljes së financimit të atyre që nuk duan të bashkëpunojnë”, ka nënvizuar Lunacek.

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian ka shtuar se normalizimi i raporteve mes Serbisë dhe Kosovës do të jetë një element kyc në rrugën e anëtarësimit në BE.

Më 12 tetor, në raport-progresin e tij, Komisioni Evropian sugjeroi fillimin brenda vitit të negociatave për heqjen e vizave për Kosovën.

Por pavarësisht sinjaleve pozitive të marra nga Brukseli, duket se rruga për qytetarët kosovarë nuk do të jetë e lehtë.

Raportuesja e Parlamentit Evropian për Cështjet e Vizave, Tanja Fajon deklaroi muajin e kaluar se Kosova duhet të presë së paku edhe dy vite për liberalizimin e vizave.

Top Channel