Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga mbështet fuqishëm bisedimet Prishtinë-Beograd, të cilat kanë mbetur pezull që prej shtatorit.

Bie në sy fakti që deklarata e kryer prej Jahjagës në orët e para të ditës, bie ndesh me atë të opozitës dhe kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi, i cili ka akuzuar kryenegociatoren Edita Tahiri për mungesën e transparencës.

Ramush Tahiri, këshilltar i lartë politik i presidentes Jahjaga, ka deklaruar se kryeministri Hashim Thaçi dhe zëvendëskryeministrja Tahiri rregullisht e informojnë presidenten për bisedimet. Ai tha për një television kosovar se nga procesi i bisedimeve po përfitojnë qytetarët e Kosovës.

Nga ana tjetër, në qeveri nuk kanë pëlqyer shumë të flasin për bisedimet. Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi nuk ka preferuar të komentojë kur është pyetur për raportimet në media se ndërmjetësuesi Robert Cooper ka bërë një propozim për kufijtë e Kosovës.

E ndonëse Kuçi tha se kompetente për të folur për bisedimet është shefja e delegacionit kosovar, Edita Tahiri, kjo e fundit nuk pranon të diskutojë për zhvillimet e fundit, me justifikimin se është shumë e ngarkuar për momentin.

Top Channel