Të premten fillojnë seancat e rregullta gjyqësore për ceshtjen Klecka në
të cilin akuzohet për krime lufte deputeti i Kuvendit të Kosovës Fatmir
Limaj dhe tetë bashkëluftëtarë të tij.

Pala mbrojtëse paralajmëron se do te kerkoje shtyrjen e këtij procesi deri pas vitit të ri. Kjo për shkak sepse avokatët nuk i dinë rrethanat e vdekjes së dëshmitarit kyc në këtë proces Agim Zogaj. Avokati i Limajt, Tahir Rrecaj tha nëpërmjet telefonit se EULEX-i e ka për detyrim ligjor të njoftojë atë për rrethanat që cuan në vdekjen e dëshmitarit X.

Në këtë rast pala mbrojtëse kërkon të pajiset me dokumentet e autopsisë të cilat konfirmojnë se Agim Zogaj vari veten në Duizburg të Gjermanisë. Në seancën e së premtes do të jenë të pranishëm nëntë të akuzuarit përfshi edhe deputetin Fatmir Limaj. Avokati Rrecaj nuk përjashtoi mundësinë që EULEX-i në seancën e së premtes të dorëzojë dokumentet e autopsisë.

Megjithatë ai tha se do të këmbëngulin në shtyrjen e procesit deri pas vitit të ri për shkak edhe të angazhimeve të avokatëve në këtë rast. Kundër deputetit Fatmir Limaj dhe tetë personave të tjerë, EULEX ka ngritur një aktakuzë që i ngarkon ata për krime lufte në fshatin Klecke. Aksionet e policisë së EULEX-it për këtë rast filluan në mars të këtij viti. Ish-ushtarët e UCK-së njëri nga ta përfshi edhe Drejtorin e Policisë në Prizren Nexhmi Krasniqi ranë në prangat e EULEX-it. Ndërkaq imuniteti prej deputeti e shpëtoi Fatmir Limajn deri në muajin shtator kur Gjykata Kushtetuese publikoi vendimin se as deputetet nuk gëzojnë imunitet për veprimet e ndërmarra jashtë përgejgësive të tyre.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës dhe nënkryetari i PDK-së Fatmir Limaj përballet me dy procese gjyqësore në të njëjtën kohë. Përvec dyshimeve për krime lufte, mbi Limajn rëndojnë dyshimet për keqpërdorimin e parasë publike gjatë kohës sa drejtonte Ministrinë e Transportit në qeverinë e Kosovës.

Top Channel