Shtetet e Bashkuara kanë deklaruar se Prishtina dhe Beogradi duhet të fokusohen në zgjidhjen e problemeve në veri dhe në vazhdimin e dialogut, dhe jo në ngritjen e tensioneve.

Deklarata është bërë nga ndihmës-sekretari i Shtetit, David Robinson, i cili në një intervistë për shtypin serb ka mohuar vendosjen e misioneve të huaja përkrah palës kosovare.

“KFOR-i dhe EULEX-i përpiqen që të sigurojnë paqe dhe stabilitet në mënyrë që njerëzit të jetojnë normalisht, pavarësisht kombësisë”, ka deklaruar Robinson.

Zyrtari amerikan ka bërë të ditur se vendi i tij po bën përpjekje me autoritetet e Prishtinës që të sigurohet kthimi i të zhvendosurve dhe që ata të kenë të gjitha kushtet për një jetë normale.

Duke qenë zyrtar i posacëm për Cështjet e Emigracionit, Robinson ka vlerësuar se nuk ka kërcënime për një valë të re refugjatësh nga Kosova.

Top Channel