Një ekip mjekësh serbë do të vizitojnë Ratko Mlladic në burgun e gjykatës ndërkombëtare të Hagës, në Sheveningen të Holandës.

Gjendja shëndetësore e Mlladic është shumë e rëndë dhe ish-gjenerali është ankuar vazhdimisht gjatë paraqitjes së tij në gjyq.

Mlladic, ish-kreu ushtarak i serbëve të Bosnjes, ndodhet në burgun e Hagës që prej muajit maj, kur u arrestua pas 16 vitesh arrati.

Ai akuzohet për një sërë veprash të rënda penale, mes të cilave genocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Krimet në fjalë sipas prokurorëve janë konsumuar gjatë masakrës së Srebrenicës dhe gjatë rrethimit të Sarajevës.

Muajin e kaluar, prokurori që drejton cështjen ndaj tij deklaroi se nuk do ta apelonte vendimin e gjykatës që kundërshtonte gjykimin e vecantë të Mlladic për disa akuza.

Më 11 tetor, Mlladic u shtrua për trajtim në spital, pas verifikimit të disa problemeve pneumonike. Biografja e tij, Ljiljana Bulatovic, bëri të ditur lajmin.

Ndërsa zyra e shtypit pranë gjykatës së OKB-së për krimet e luftës refuzoi të jepte detaje mbi gjendjen e ish-gjeneralit.

Një ditë më parë, gazeta serbe “Kurir” njoftonte se ish-komandanti i trupave paraushtarake ndodhej në gjendje të rëndë për shkak të disa problemeve në veshka.

“Mlladic është në një gjendje shëndetësore shumë të rëndë si pasojë e një krize në veshka. Avokati i tij është shumë i shqetësuar”, shkruante gazeta.

Top Channel