Vetëm një ditë pasi shefi i diplomacisë suedeze Carl Bildt “këshilloi” qeverinë e Kosovës që të sigurojë besimin e serbëve të veriut te shteti i Kosovës, zyrtarët qeveritarë deklarojnë se fillimisht duhet të rregullohet dicka tjetër.

Zëvëndëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuci thotë se është e domosdoshme që fillimisht të bëhet lirimi i rrugëve në veri, që vazhdojnë të mbahen të bllokuara nga strukturat paralele dhe vendosja e ligjit në atë pjesë.

“Së pari duhet që këta njerëz të ndalen, rrugët të zhbllokohen dhe pastaj të nisin investimet në infrastrukturë, për t’u garantuar atyre qytetarëve jetesë më të mirë”, ka deklaruar Kuci.

I pyetur për aksionet e KFOR-it, që deri më tani nuk kanë siguruar qarkullimin e lirë, numri dy i qeverisë së Kosovës ka deklaruar se duhet të jemi të durueshëm në këtë drejtim.

Sipas tij, qëllimi final i KFOR-it është zhbllokimi i rrugëve për të gjithë qytetarët e Kosovës, e jo vetëm për organizatat ndërkombëtare.

“Ne jemi për një zhbllokim permanent, jo vetëm për ndërkombëtarët, por për të gjithë. Kjo nuk mund të bëhet për një orë ose një ditë, por ky është qëllimi ynë”, ka nënvizuar Kuci.

Ndryshe, Kuci ka përsëritur qëndrimin e Prishtinës zyrtare se zgjidhja në veri do të bëhet përmes pakos së Ahtisarit dhe Kushtetutës së Kosovës, duke mohuar kështu zërat që bëjnë thirrje për një pako “Ahtisari Plus”.

Besimi në shtetin e Kosovës i qytetarëve serbë të veriut duhet të sigurohet nga Prishtina zyrtare e jo nga Bashkmi Europian, NATO, apo kushdo tjetër”, deklaroi ministri suedez në takimet me zyrtarët kosovarë.

Top Channel