Kriza, cilat do të jenë superfuqitë e së ardhmes?

09/11/2011 20:15

Shekulli i 21-të nisi me SHBA-në si shteti më i fuqishëm ekonomikisht në botë dhe me Bashkimin Europian si bashkimin e shteteve që formojnë tregun më të madh, por në fund të këtij shekulli, renditja mund të ndryshojë drastikisht.

Rritja monstrueze e Kinës ka thyer deri tani edhe parashikimet më të mira, duke bërë që të paralajmërohet shndërrimi kinez në ekonominë më të madhe në botë brenda një 10-vjeçari.

Tregje të tjera me potencial të jashtëzakonshëm, si India, Brazili apo Rusia janë në rritje të vazhdueshme, duke kërcënuar hegjemoninë e atyre që për momentin, kanë ende në zotërim kapitalet më të mëdha financiare.

Kina, 20 vjet rritje, në 2010-n me 10,3%

Që prej fillimit të viteve 1990, Kina ka njohur vitem vite me rritje ekonomike të jashtëzakonshme, që në dekadën e fundit ka shkuar deri në 15% në rastin më të mirë dhe në 8% në atë më të keq.

Pasi la pas Japoninë dhe u shndërrua në ekonominë e dytë më të madhe në botë më parë gjatë vitit, Kina vazhdon të përparojë me ritme të pandalshme dhe nëse ritmet e zhvillimit nuk ndryshojnë, duket se SHBA është e destinuar të zbresë nga shkalla më e lartë e podiumit në një dekadë.

India, 3 dekada rritje, në 2010-n me 7,7%

India mbetet një vend shumë i varfër sipas standarteve të jetesës së perëndimit, por ekonomia e saj i ka të gjitha shanset që të shndërrohet në një kolos global. Shtëpi e 1,2 miliardë personave, India ka një avantazh që përveç Kinës, askush nuk e ka, krahun jashtëzakonisht të lirë të punës, por edhe ekspertë të aftë për të sjellë rritjen.

Prej më shumë se tre dekadash, që prej luftës me Pakistanin në mesin e viteve 1970, ekonomia indiane nuk njeh rënie në minus, por vetëm rritje nga 3-10%, me trendin që është fuqizuar në vitet e fundit. Aktualisht ekonomia e tetë, pritet të mos jetë e largët dita kur India të arrijë një kënaqësi morale, duke kaluar ekonominë e Britanisë së Madhe, dikur vendi që e kolonizoi.

Rusia, 9 vite pozitive në një dekadë, 2010 me rritje 4,3%

Për gjysmë shekulli, Bashkimi Sovjetik përbënte ekonominë e dytë më të madhe në botë. Sot për sot, Federata Ruse është ekonomia e 11, por duket e destinuar të ngjisë shumë shpejt shkallët, duke lënë pas të gjithë vendet e Eurozonës (krahasuar tek e tek), brenda një dekade. Kjo do të thotë që profili rus do të vijë në rritje dhe mund të shndërrohet për nga karakteristikat e ekonomisë, në “Gjermaninë” e re të botës.

Ndryshimet dramatike që i është nënshtruar ekonomia ruse pas rënies së Bashkimit Sovjetik në fillim ishin shumë të dhimbshme, por e fuqizuar nga resurse të pamata dhe rezerva të mëdha gazi natyror e nafte, rritja duket e vështirë që të ndalet edhe për këtë kolos.

Brazili, rritje që prej 1992-shit, në 2010-n me 7.4%

Brazili është shndërruar në superfuqinë e Amerikës së Jugut dhe në një prej ekonomive më dinamike në botë. Pasi vuajti për dekada luhatjen e çmimit të kafesë dhe mineraleve që eksporton me shumicë, shteti amerikanojugor tashmë ka krijuar aq shumë sektorë ekonomikë, sa të jetë udhëheqë kontinentin në pothuajse çdo drejtim.

Fuqia njerëzore prej 220 milion banorësh dhe politikat e duhura të qeverisë Lula dhe Roussef duket se kanë sjellë një përparim të vazhdueshëm në vendin që për momentin krenohet me ekonominë e shtatë më të madhe në botë.

Top Channel