Ministri i Jashtëm suedez, Carl Bildt ka deklaruar të mërkurën nga Mitrovica se kriza në veri të Kosovës duhet të zgjidhet me dialog.

Por nga ana tjetër shefi i diplomacisë suedeze ka theksuar se Prishtina zyrtare duhet të përforcojë praninë e saj në këtë zonë.

“Dialogu i Prishtinës dhe Beogradit është shumë i rëndësishëm, sidomos për zgjidhjen e cështjeve praktike”, ka deklaruar Bildt.

Duke folur pas një takimi me përfaqësues të OJQ-ve, ministri i Jashtëm i vendit nordik ka nënvizuar se, rruga ku duhet të kalojnë vendet e rajonit është progresi.

Ai ka shtuar se në këtë pikë, është një pikëpyetje e madhe për përspektivën evropiane të Serbisë dhe Kosovës.

Bildt mbërriti në Prishtinë ditën e martë dhe në takimet me kryeministrin Hashim Thaci dhe homologun Enver Hoxhaj tha pikërisht se i takon qeverisë kosovare që të zgjidhë cështjen e veriut.

“Besimi në shtetin e Kosovës i qytetarëve serbë të veriut duhet të sigurohet nga Prishtina zyrtare e jo nga Bashkmi Europian, NATO, apo kushdo tjetër”, tha Bildt.

Ai ritheksoi se bashkësia ndërkombëtare nuk ishte e kënaqur me aksionin e 25 korrikut dhe e vuri theksin tek puna që duhet të bëjë qeveria, por pa propozuar dicka konkrete për tejkalimin e situatës në veri.

“Në veri të Kosovës ka njerëz që nuk e duan pavarësinë, por ka edhe nga ata që e kanë pranuar dhe jetojnë në të. Nevojitet ndërmarrja e një procesi afatgjatë për të tejkaluar problemin e veriut dhe kjo mund të bëhet vetëm nga autoritetet në Prishtinë. Nuk mund të bëhet nga Bashkimi Evropian, NATO apo dikush tjetër, por vetëm nga Prishtina”, theksoi Bildt.

Ai vlerësoi se kjo nuk është e lehtë të arrihet, por paralajmëroi se në të kundërt ekziston rreziku që ky problem mund të zgjasë për një kohë të gjatë.

“Nuk janë në pyetje ditët dhe javët, por është në pikëpyetje cështja e viteve për të pasur integrim të plotë”, u shpreh Bildt.

Top Channel