“Besimi në shtetin e Kosovës i qytetarëve serbë të veriut duhet të sigurohet nga Prishtina zyrtare e jo nga Bashkmi Europian, NATO, apo kushdo tjetër”.

Këtë gjë ka thënë shefi i diplomacisë suedeze, Karl Bildt, Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe homologut të tij, Enver Hoxhaj, në takimet që ka pasur me ta gjatë së martës.

Vizita e tij në Kosovë ndodhi vetëm pak javë pasi kishte fajësuar Prishtinën zyrtare për gjendjen në veri. Bildt, i cili është njohur së fundmi për deklaratat pro serbe, pati kritikuar aksionin e 25 korrikut në veri, ndërsa pati lavdëruar qëndrimin e presidentit serb, Boris Tadiç.

Ai ka ritheksuar edhe një herë se bashkësia ndërkombëtare nuk ishte e kënaqur me këtë aksion, kurse ka vënë theksin te puna që duhet të bëjë Prishtina zyrtare, por pa propozuar  diçka për tejkalimin e situatës në veri.   

“Në veri të Kosovës ka njerëz që nuk e duan pavarësine e Kosovës, por ka nga ata që e kanë pranuar pavarësinë dhe jetojnë në te. Nevojitet ndërmarrja e një procesi afatgjatë për të tejkaluar problemin e veriut dhe kjo mund të bëhet vetëm nga autoritetet në Prishtinë. Nuk mund të bëhet nga Bashkimi Evropian, NATO apo dikush tjetër, por vetëm nga Prishtina”, theksoi Bildt.

Sipas tij, kjo nuk është e lehtë, por duhet të arrihet, në të kundërt ekziston rreziku që ky problem mund të zgjasë për një kohë të gjatë. “Nuk janë në pyetje ditët dhe javët, por është në pikëpyetje ëështja e viteve për të pasur integrim të plotë”, është shprehur Bildt.

Në anën tjetër, homologu i tij kosovar, Enver Hoxhaj, ka thënë para mediave se nuk do të ketë rikthim të gjendjes së para 25 korrikut, kur në veri u dërguan njësitë speciale të policisë dhe se nuk do të kalohet nga një “status quo” në tjetrën.

Ndryshe, gjatë këtyre takimeve, është biseduar edhe për marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet dy shteteve, ndërsa z. Bildt ka ftuar institucionet e Kosovës që të punojnë më shumë për zvogëlimin e papunësisë. Gjatë qëndrimit të tij në Kosovë, Bildt do të takohet edhe me personalitete të tjera vendore e ndërkombëtare, ndërsa pritet të vizitojë edhe qytetin verior, Mitrovicën.

Top Channel