Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaci ka deklaruar se raporti i progresit
nuk duhet të shërbejë për debat elektoral, pasi ai është një raport për
Kosovën dhe jo për qeverinë e saj.

Deklaratën e tij Thaci e bëri në seancën e së martës të Parlamentit të Kosovës, pas akuzave që deputeti i LDK Ismet Beqiri ngriti ndaj ekzekutivit.

“Qeveria e Kosovës është një qeveri që shpenzon, që politikën e ka sport dhe sportin politikë”, deklaroi Beqiri, i cili renditi edhe disa nga vlerësimet negative në raport-progres.

Kryetari i grupit parlamentar të LDK-së e vuri theksin tek: keqmenaxhimi i zgjedhjeve të fundit; dështimi me procesin e privatizimit; dhe dështimi në reformimin e administratës publike.

“Për të dalë nga kjo gjendje kaq e rëndë duhet të miratohen një seri rekomandimesh”, u shpreh Beqiri.

Nga ana e tij Thaci reagoi duke thënë se në raport nuk ka vetëm vërejtje dhe duke theksuar se jo për të gjitha vlerësimet negative është përgjegjëse qeveria.

“Duhet të dihet qartë ndarja e pushteteve dhe mos t’i ngarkohen qeverisë edhe përgjegjësitë e legjislativit dhe gjyqësorit”, nënvizoi Thaci.

Thaci tha më tej se raport-progresi, i cili sugjeronte nisjen e dialogut për liberalizimin e vizave brenda vitit, do të shërbejë si një udhërrëfyes për reformat shtetërore në Kosovë.

Top Channel