Autokolona e KFOR-it ka kaluar përmes një lejeje të dhënë nga serbët e veriut barrikadën që pengonte hyrjen e saj në pikën kufitare të Jarinjës.

Lajmin e bëjnë të ditur mediat serbe, sipas të cilave autokolona përbëhej nga një autovinc, dy autoblinda të tipit “Hummer” dhe një kamion, të shoqëruara nga një automjet i Policisë së Kosovës.

Nga ana tjetër zyrtarë të KFOR-it bëjnë të ditur se kalimi është bërë sipas procedurave të rregullta dhe se situata në veri vazhdon të jetë e qetë.

Më herët, në orët e mëngjesit, serbët e veriut bllokuan kalimin e mjeteve transportuese të kontigjentit amerikan të KFOR-it, në Zvecan.

Zëdhënësi i misionit të NATO-s, Uve Novicki ka deklaruar gjithashtu se motivet për këtë veprim të serbëve janë ende të paqarta.

Kuci: Të rritet presioni ndaj Serbisë

Ndërkohë, zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuci duke komentuar raportin e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon, ka deklaruar se ai tregon nevojën për rritjen e presionit ndërkombëtar ndaj Serbisë.

“Raporti është një sinjal që duhet të rritet presioni ndaj Serbisë dhe të parandalohen krizat që mund të destabilizojnë Ballkanin”, ka deklaruar Kuci.

Sipas tij, synimi politik i Serbisë dhe strukturave paralele për ndarjen e Kosovës gjeneron krizë jo vetëm për vendin, por për të gjithë rajonin e Ballkanit.

“Kosova është e interesuar për paqe, stabilitet, respekt reciprok dhe për rrugën drejt integrimeve evropiane”, është shprehur Kuci për RTK.

Top Channel