Shqipëria shkel sërish kriteret e anëtarësimit në NATO

07/11/2011 08:00

Shqipëria e ka detyrim të anëtarësimit në NATO shpenzimin e minimalisht 2 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto për sektorin e mbrojtjes, por deri më sot nuk e ka plotësuar asnjëherë këtë detyrim dhe sipas buxhetit që qeveria miratoi për vitin e ardhshëm, do të vijojë ta shkelë.

Gazeta ‘Shqip’ bën të ditur se buxheti i vitit 2012 u miratua nga qeveria të premten dhe pritet të fillojë të diskutohet në Kuvend në ditët e ardhshme. Projektbuxheti parashikon që Ministria e Mbrojtjes të shpenzojë rreth 20 miliardë lekë (rreth 142 milionë euro) gjatë vitit të ardhshëm. Për vitin 2011, qeveria pati programuar të shpenzonte për mbrojtjen 21.6 miliardë lekë, por në buxhetin e rishikuar në korrik, buxheti u reduktua në 19.8 miliardë lekë, ndërsa realizimi final, pritet të jetë edhe më i vogël. Për vitin 2012, qeveria pritet të shpenzojë për mbrojtjen 5 për qind të buxhetit të saj dhe vetëm 1.45 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Ndryshimi është që ndërsa gjatë viteve të shkuara, qeveria së paku nominalisht është angazhuar të respektojë detyrimin buxhetor për anëtarësimin në NATO, buxheti i vitit të ardhshëm nuk merr mundimin që ta bëjë një gjë të tillë as nominalisht.

Shqipërisë iu vu si objektiv nga NATO në vitin 2005 rritja e buxhetit të mbrojtjes gradualisht, deri sa të arrinin 2 për qind të PBB-së, që është edhe minimumi i lejuar për vendet anëtare. Sugjerimi ishte që shpenzimet e mbrojtjes të rriteshin gradualisht me 0.1 për qind të PBB-së në vit deri sa të arrihej kuota. Por në vitin 2006, qeveria shqiptare vendosi në mënyrë të njëanshme të rrisë shpenzimet për mbrojtjen, duke e zbatuar këtë kriter para anëtarësimit si shenjë e vullnetit të mirë dhe përpjekjeve për plotësimin e kushteve për anëtarësim. Por premtimi mbeti gjithmonë në letër, pasi ndonëse Mbrojtjes iu dhanë fondet e nevojshme, kjo ministri nuk ia doli kurrë t’i shpenzonte. Në shumë raste, fondet ishin më të larta se sa nevojat, ndërsa keqmenaxhimi bënte që tenderët të dështonin. Në vitin 2008, dështoi tenderi për blerje nafte, gjë që e la marinën detare pothuajse pa patrullim gjatë të gjithë vitit. Shpenzimet faktike për mbrojtjen në raport me PBB-në ranë nga 1.3 për qind në vitin 2006, në 1.1 për qind në vitin 2010.

Buxheti i Mbrojtjes për vitin e ardhshëm do të përbëhet nga 17 miliardë lekë shpenzime korrente dhe 3 miliardë lekë shpenzime kapitale. Programi Forcat e Luftimit do të zërë pjesën më të madhe të buxhetit të mbrojtjes me 8 miliardë lekë, ndërkohë që Mbështetja Sociale për Ushtarakët është programi i dytë më i rëndësishëm me 4.5 miliardë lekë fonde.

Mungesa e aftësisë për të ekzekutuar buxhetin e mbrojtjes është bërë shpesh shqetësim për aleatët në NATO sipas një kabllograme amerikane të publikuar nga “Wikileaks”. Shqipëria ka një peshë të papërfillshme në planet e Aleancës për mbrojtje të përbashkët dhe mosrealizimi i buxhetit të saj nuk duket se përbën ndonjë shqetësim konkret. Megjithatë, Shqipëria mbetet sërish vendi që premton, por nuk bën asgjë përveç premtimeve.

Ndërkohë, blerja e helikopterëve të rinj francezë, duket se do të mbetet një kontratë e parealizuar edhe për vitin e ardhshëm.
Blerja e helikopterëve me vlerë rreth 100 milionë euro u shty për një vit, për shkak se qeveria shqiptare hyri në vështirësi financiare.

Shqipëria e shkurtoi personelin ushtarak nga 100 mijë vetë që e kishte në kohën e komunizmit në 12-15 mijë vetë, që duhet të jetë sipas standardeve të NATO-s. Detyra e tanishme është që ushtria të transformohet nga një forcë stacionare mbrojtjeje në një forcë të lëvizshme.

Top Channel