Qeveria serbe, dokument për veriun

07/11/2011 20:30

Qeveria e Serbisë është duke përgatitur një dokument që do t’ia sugjerojë Kuvendit lidhur me veprimet për Kosovën dhe qetësimin e situatës në veri.

Por, dokumenti ende nuk i është dorëzuar Këshillit për Kosovën në Kuvend për të vazhduar me mbledhjen e ardhshme të këtij këshilli, që tashmë është bllokuar dhe është kthyer në qendër të vëmendjes për shkak të raporteve të ndryshme dhe fshehjes së tyre.

Pas kësaj do të duhet të caktohet një seancë e Kuvendit të Serbisë për Kosovën, pasi Parlamenti vazhdon të bojkotohet nga partitë opozitare, përveç Partisë Radikale, për shkak të pamundësisë për të diskutuar për temën e Kosovës pas akuzave se janë falsifikuar raportet për veriun.

Serbia ka miratuar disa rezoluta dhe akte që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës dhe disa herë janë miratuar e hartuar plane të veprimit në kohë krizash, por që më pas nuk janë treguar se kanë pasur ndonjë veprim të veçantë.

Situata në veri të Kosovës mbetet e qetë por e tensionuar. Autokolona e KFOR-it, pas një bllokimi që iu bë në mëngjes nga banorët serbë, kaloi më vonë gjatë ditës për të arritur pikën kufitare të Jarinjës.

Autokolona përbëhej nga një autovinc, dy autoblinda të tipit “Hummer” dhe një kamion, të shoqëruara nga një automjet i Policisë së Kosovës. 

Lidhur me situatën sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon shprehu shqetësimin se zhvillimet në veri të Kosovës mund të destabilizojnë tërë Ballkanin.

Top Channel