Greqi, bisedimet për qeverinë e re

06/11/2011 09:25

Lideri kryesor i opozitës greke do të takohet me presidentin e vendit ditën e dielë, në një përpjekje të re për të zgjidhur bllokimin politik të vendit përballë krizës së borxheve.

Antonis Samaras, kryetari i partisë “Demokracia e Re”, refuzon që të marrë pjesë në qeverinë e bashkimit kombëtar, të propozuar nga kryeministri i shumëkritikuar, Jorgos Papandreu.

Ai e ka cilësuar politikën e Papandreut si të “rrezikshme” për vendin dhe ka bërë thirrje të përsëritura për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Megjithatë, kryeministri thekson se zgjedhjet duhet të presin deri sa paketa jetike e ndihmave nga ana e Bashkimit Europian, të aprovohet. Pas dështimit të një mocioni mosbesimi ndaj kabinetit aktual në parlament, besohet se presidenti Karolos Papulias, do të përpiqet të negociojë me Samaras bashkëpunimin e tij me Papandreun, për të bërë të mundur realizimin e qeverisë teknike.

Në një sondazh të kryer gjatë javës, shikohet se shumica e grekëve do të preferonin më shumë një qeveri të formuar nga përfaqësues të të gjitha partive, në vendin e zgjedhjeve të parakohshme.

Ndërkohë, në vend vazhdon debate se kush do të drejtojë qeverinë e re që mund të formohet. Ekzistojnë spekulime se do të jetë Ministri i Financave, Evangelos Venizelos, ai që do të marrë rolin e Kryeministrit të përkohshëm, pasi Papandreu la të nënkuptonte që mund të largohej, nëse kjo konsiderohej si zgjidhja më e mirë për qeverinë e re.

Top Channel