Aktivistë të lëvizjes Vetëvendosje, të maskuar me qese në kokë, kanë marshuar të shtunën në sheshin “Nënë Tereza”, në Prishtinë.

Duke mbajtur në duar parulla të llojeve të ndryshme, aktivistët kanë ironizuar qeverinë për gjendjen aktuale në të cilën ndodhet Kosova.

“Kosova është radhitur e para mes shteteve më demokratike në botë. Urra! Më 1 nëntor, ashtu sic premtoi Edita Tahiri, strukturat paralele serbe në Kosovë u shpërbënë. Kushdo që është i interesuar mund të pijë kafe me ministrin Bajram Rexhepi në cdo zonë të veriut. Në vitin 2012 buxheti i Kosovës do të dhjetëfishohet”, kanë bërtitur aktivistët.

Më pas ata kanë vendosur hudhra në oborrin e selisë së qeverisë, në mënyrë simbolike për të mos marrë mësysh arritjet e saj.

“Në shenjë simbolike po vendosim hudhra tek ndërtesa e qeverisë, që atë të mos e marrë mësysh askush, sepse është shumë e mirë. Urra!”, kanë bërtitur aktivistët.

Një protestë të ngjashme lëvizja Vetëvendosje organizoi edhe muajin e kaluar, ku në shënjtestër të aksionit ishte Ministria e Brendshme e Kosovës.

Aktivistët vendosën në rrethinat e godinës së ministrisë një objekt të cilin e quajtën “hajmali”, për të parodizuar disa deklarata të ministrit Bajram Rexhepi lidhur me situatën në veri.

Top Channel