
Pasi e refuzuan, demokratët iu kthyen Presidentit të Republikës për kandidaturën e Sali Shehut në Kontrollin e Lartë të Shtetit.
Për herë të parë në historinë e Parlamentit shqiptar, që nga viti ’91, – thuhet në deklaratën e anëtarëve demokratë të komisionit të ligjeve, – një dekret në Kuvendin e Shqipërisë mori vetëm një votë.
Ky ishte votimi për kandidatin për kryetar të Kontrollit të Lartë të Shtetit, të dekretuar nga Presidenti i Republikës.
Propozim në kundërshtim të hapur me Kushtetutën dhe jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese, thonë demokratët.
Jo pa ironi, demokratët shtojnë se duke e respektuar Presidentin e Republikës, ata i kërkojnë atij që, çdo propozim që kërkon miratimin e Kuvendit, duhet ta bëjë në përputhje me Kushtetutën e vendit dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
Po cilit vendim i referohen demokratët? Në vitin 2005 Presidenti i Republikës, asokohe Alfred Moisiu, i kërkoi Gjykatës Kushetuese interpretimin e neneve 125 dhe 136 të Kushtetutës, që kanë të bëjnë me emërimin nga Presidenti të anëtarëve të gjykatës kushtetuese dhe të lartë dhe pëlqimin e Kuvendit.
Në vendim thuhet se ky sistem emërimi, i adoptuar nga Kushtetuta, i vë subjektet që përfshihen në të, përpara kërkesës së respektimit të parimit të luajalitetit kushtetues.
Me fjalë të tjera, secili subjekt respekton kompetencat e tjetrit, duke vendosur një raport bashkëpunimi mes tyre.
Presidenca: Asnjë shkelje në jurisprudencën e gjykatës
Duke iu referuar këtij vendimi të Gjykatës Kushtetuese, këshilltarët ligjorë të presidentit, në përgjigjen e tyre thonë se presidenti nuk e ka shkelur jurisprudencën e gjykatës.
Emërime të tilla, sipas këshilltarëve të presidentit, nuk mund të kërkojnë konsultime paraprake, jo vetëm sepse vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk e kërkon diçka të tillë, por edhe sepse parimi i ndarjes dhe balancimit të pushteteve presupozon respektim të kompetencave të secilit institucion dhe jo konsultim paraprak.
Këshilltarët e Presidentit i referohen edhe mendimit të Komisionit të Venecias në Opinionin e datës 7 dhjetor 2004, që i paraprin vendimit të gjykatës kushtetuese të Shqipërisë, ku ndër të tjera thuhet se Kërkesa për dhënien e pëlqimit nga Kuvendi, nuk do të thotë një ndërhyrje paraprake e Kuvendit në zgjedhjet e Presidentit, por do te thotë se Kuvendi ka kompetencën për dhënien ose jo të pëlqimit.
Një debat i hapur i Kuvendit mbi dekretet e Presidentit të Republikës është i rëndësishëm, për t’i dhënë Presidentit informacionin e nevojshëm për arsyet e refuzimit të dhënies së pëlqimit, arsye të cilat do ta lejonin Presidentin, që në të ardhmen të dërgojë në Kuvend kandidatura të pranueshme nga Kuvendi.
Pra, me fjalë të tjera, Presidenti i Republikës u kthen reston e ironisë deputetëve demokratë, duke u kujtuar se në vend që të akuzojnë atë, le të japin më mirë një arsye të qenësishme pse e refuzuan kandidaturën e ish-kolegut të tyre Sali Shehu.
Top Channel