Një person i dyshuar për pjesëmarrje në masakrën në fshatin Qyshk të Kosovës është arrestuar të premten në Serbi, në bazë të një fletëarresti të lëshuar nga Interpoli.

Lajmin e bën të ditur “REL”, që citon burime pranë prokurorisë për krimet e luftës në Beograd.

Sipas burimit, Sinisha Micic dyshohet për vrasjen e 11 civilëve shqiptarë gjatë masakrës së 14 majit të vitit 1999, në komunën e Pejës. Në kërkim për ngjarjen në fjalë kanë mbetur dy persona.

Në total janë 12 të akuzuarit, të cilët konsiderohen përgjegjës për vrasjen e 44 civilëve shqiptare, plackitje, djegie të pronës dhe dëbim të popullit shqiptar nga trevat e tij.

Sipas palës së akuzës, arkitekt i masakrës në fshatin Qyshk ka qenë Nebojsha Minic, nën urdhërat e të cilit u vra edhe Hasan Ceku, babai i Agim Cekut, si dhe disa anëtarë të tjerë të familjes së tij.

Minic u arrestua në vitin 2005 në Argjentinë në bazë të një urdhërarresti ndërkombëtar, por vdiq nga SIDA gjatë procesit të ekstradimit.

Top Channel