Hoxhaj: Jo dhunës dhe status kuosë

04/11/2011 22:05

Ministri i jashtëm kosovar, Enver Hoxhaj ka deklaruar se qeveria e Kosovës është kundër përdorimit të dhunës, kundër status kuosë dhe konfliktit të ngrirë në veri.

Sipas tij, zgjidhja e vetme për problemet në veri të Kosovës mbetet implementimi i plotë i pakos “Ahtisari”.

Këto komente shefi i diplomacisë kosovare i ka bërë në një fjalim gjatë punimeve të takimit të Grupit të Vishegradit.

Ministri Hoxhaj ka deklaruar gjithashtu se aspiratë e Kosovës mbetet integrimi në Bashkimin Evropian dhe në strukturat euro-atlantike.

Lidhur me këtë, Hoxhaj e ka vënë theksin tek rëndësia e mbështetjes së vendit nga të gjitha shtetet anëtare të këtij menkanizmi.

“Të gjitha shtetet anëtare të BE-së, ato që e kanë njohur edhe që nuk e njohur pavarësinë e Kosovës, duhet të mbështesin të ardhmen tonë evropiane. Kosova nuk duhet të mbetet vendi i vetëm i harruar dhe i izoluar në rajon”, ka thënë Hoxhaj.

Takimi i Grupit të Vishegradit nisi punimet të premtën në Pragë të Republikës Çeke. Në të marrin pjesë ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve të Ballkanit perëndimor.

Ministri Hoxhaj po zhvillon vizita të shumta diplomatike në vende të ndryshme të botës, për të siguruar njohje të reja të pavarësisë, si dhe mbështetje për anëtarësimin në BE.

Në ditët e fundit, institucionet e Bregut të Fildishtë lëshuan notën zyrtare të njohjes së pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Me këtë njohje republika afrikane u shndërrua në shtetin e 84-t që vendos marrëdhënie diplomatike me Prishtinën zyrtare. 

Top Channel